GAP-i numëron ngecjet digjitalizimin e shërbimeve administrative, gjysma e e-kioskave jofunksionale

GAP-i numëron ngecjet digjitalizimin e shërbimeve administrative, gjysma e e-kioskave jofunksionale

14 August 2019 13:01

Instituti GAP ka bërë një analizë në lidhje me ngecjet në digjitalizimin e shërbimeve administrative, ose ndryshe që njihen si e-kioska.

Gjetjet i ka grumbulluar në raportit me titull “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e shërbimeve administrative”, të cilin e kanë prezatuar në një konferencë për media, dyshja e këtij instituti Agron Demi e Bekim Salihu.

Agron Demi vuri theksin te ngecjet në ofrimin e shërbimeve administrative në formë digjitale. Ai tha se edhe në këtë mandat qeverisës, ashtu sikurse edhe në qeverisjet e kaluara, reformimi i administratës dhe digjitalizimi i shërbimeve nuk kanë qenë fare prioritet.

“Përkundrazi, administrata publike në vazhdimësi po shkon duke u politizuar, duke degraduar profesionalisht, duke marr gjithnjë e më shumë buxhet të taksapaguesve, e rrjedhimisht duke mos lehtësuar marrjen e shërbimeve për qytetarët”, ka thënë Demi, njofton GAP, përcjell Koha.net.

Përkundër asaj se që nga shpallja e pavarësisë janë aprovuar dhjetëra dokumente strategjike e plane veprimi, shumë nga aktivitetet dhe objektivat e parapara kanë mbetur vetëm në letër, ka thënë më tej Demi, për të shtuar se çdo vit shpenzohen mesatarisht 10 milionë euro për pajisje dhe sisteme të teknologjisë së informacionit. Por asnjëri nga sistemet e instaluara elektronike nuk është funksional plotësisht.

“Qytetarët obligohen që për kryerjen e çfarëdo shërbimi, të dorëzojnë një mori dokumentesh të cilat edhe ashtu janë në pronësi të institucioneve publike. Kësisoj, çdo vit lëshohen mbi dy milionë dokumente nga regjistri i gjendjes civile, qëllimi primar i të cilave është që të dorëzohen prapë tek institucionet për kryerjen e ndonjë shërbimi. Kjo ka bërë që administratat të jenë të mbingarkuara, kurse qytetarët obligohen që të enden nëpër institucione të ndryshme për marrjen e një shërbimi”, ka thënë Demi.

Ndërkaq Bekim Salihu prezantoi gjetjet e raportit mbi nivelin komunal. Sipas tij, komunat janë shumë të varura nga niveli qendror sa i përket racionalizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve administrative. Megjithatë, komunat kanë ndërmarrë vetiniciativë për lehtësimin e shërbimeve administrative, duke instaluar kiosqe elektronike për nxjerrjen e dokumenteve.

Nga 38 komuna, 19 kanë instaluar kiosqe elektronike. Por, nga hulumtimi në terren ka rezultuar se nga 42 kiosqe elektronike që janë instaluar nëpër komuna, më shumë se gjysma e tyre janë jofunksionale.

“Arsyet më të shpeshta për mos funksionimin e-kiosqeve elektronikeve kanë të bëjnë me ndërprerjet e shpeshta të internetit, vendosja e tyre në vende të hapura e të pa mbrojtura nga kushtet atmosferike, mungesa e përkujdesjes dhe mos furnizimi i tyre me rregull me material shpenzues. Këto pengesa, si dhe hezitimi i qytetarëve për t’u shërbyer nga to, kanë bërë që kiosqet elektronike të mos e arrijnë qëllimin e synuar”, ka thënë Salihu, përcjell Koha.net.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme