Arbëri

Haradinaj rikujton kontratën me popullin, thotë është mbi interesat personale

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, përmes rrjetit social facebook, ka folur për kontratën me qytetarët e Kosovës, për të cilën ka thënë se është më e rëndësishme se intereset personale.

Si Kosovë, shkruan Haradinaj, jemi përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike.

“Rrjedhimisht, kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet. Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai thotë se çdo nënshkrim për interesa personale e grupore, sjell pasoja tragjike për të ardhmen e vendit.

“Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bënë ndryshimin. Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë!”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund, thotë Haradinaj, “vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin liderë, duke ia përcaktuar të ardhmen politike”.