Arbëri

Çmimet e konsumit rriten për 2.6 për qind, qytetarët ankohen se kjo është e papërballueshme

Kanë qenë të shumtë qytetarët që të shtunën janë furnizuar me produkte të ndryshme në tregun e gjelbër në kryeqytet.

Në prag të festës së Kurban Bajramit, shumë prej tyre thonë se ngritja e çmimit të konsumit është e papërballueshme.

Qytetarët thonë se krahasuar me pagat, çmimet në Kosovë janë shumë të larta.

Përderisa për ata që jetojnë në perëndim, çmimet në Kosovë janë të volitshme.

Edhe disa shitës thonë se përkundër që nuk ka shumë shitje, çmimet janë ngritur, raporton KTV.

Disa të tjerë thonë se çmimet janë të njëjtat, vetëm se shitje ka më pak për shkak të temperaturave të larta.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve për muajin korrik, i publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, tregon se çmimet e konsumit janë rritur për 2.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas këtij raporti, buka dhe drithërat kanë një rritje prej 14 për qind, ndërsa mishi prej 4.7 për qind. Kafja, çaji dhe kakao kanë ngritje prej 5.8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Disa prej njohësve të çështjeve ekonomike, këtë ngritje të çmimeve e kanë ndërlidhur me taksën prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia.