Arbëri

Vuçiqi: Në Kosovë ka nisur gara për taksën - nuk besoj se Bolton viziton Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, beson se këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, nuk do ta vizitojë Serbi, e as Kosovën.

Ai ka thënë se në Kosovë do të ketë zgjedhje, dhe Bolton nuk do humbiste kohë, kur s’ka me kë të bisedojë.

“Administrata amerikane është për heqjen e taksës, për çka jam mirënjohës. Por nuk mendoj se tarifat janë arsyeja e vetme që Bolton nuk do të vijë. Pyetja është se çfarë mund të fitojë ai me ardhjen në Prishtinë”, ka thënë Vuçiq për TV Prva, përcjell Koha.net.

Ndonëse ka thënë se nuk mund të flasë në emër të Boltonit, por ka thënë se kjo është një “analizë logjike”.

Vuçiqi është ndalur edhe te taksa. Ka thënë se në Prishtinë ka nisur garë për taksën.

Tutje, Vuçiqi e ka quajtur të pakuptimtë vendimin që Kosova t’ua ndalojë hyrjen serbëve me pasaporta të Serbisë.

“Ata veprojnë si fëmijë të vegjël, të cilët nuk kanë shtet, por përpiqen të krijojnë atë”, ka thënë Vuçiq.

Ka paralajmëruar vjeshtë të vështirë në relacionin mes Kosovës e Serbisë.

“Ekziston ende një problem me furnizimin e qytetarëve tanë, dhe ne do të duhet ta zgjidhim këtë”, tha Vuçiq, teksa ka thënë se bisedime të vështira e presin edhe me partnerët perëndimorë, të cilët, siç ka thënë, duan një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ai shprehet se nuk është çështje e afateve, sepse teknika dhe forma nuk janë më të rëndësishme se substanca e marrëveshjes.

“Unë propozova një zgjidhje, të gjithë e hodhën poshtë, por deri më tani nuk kam parë një ide tjetër. Fakti që ata e kundërshtuan atë është dëshmi se ajo ishte e mirë”, tha ai.