Arbëri

Koalicionet për zgjedhje: LDK-ja parapëlqen të shkojë e vetme, PSD-ja e do VV-në e Nismën

Mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë, ka vënë në veprim partitë politike, duke i bërë kështu kalkulimet për koalicionet e mundshme por edhe për vijat e kuqe.

Derisa ka kohë që kanë forcuar bashkëpunimin opozitar, LDK-ja dhe Vetëvendosje, megjithatë, janë ende të ndara në bashkëpunimin e mundshëm të tyre para zgjedhjeve, raporton KTV.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se koalicioni parazgjedhor LDK-VV, do siguronte fitoren në zgjedhjet e parakohshme.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë se pa marrë parasysh bashkëpunimin me LDK-në, nuk heqin dorë që posti i kryeministrit t’i takojë kryetarit të tyre, Albin Kurtit.

Koalicionin pas-zgjedhor me VV-në nuk e përjashtojnë nga LDK-ja, por janë të mendimit që në zgjedhje të hyjnë të vetëm.

Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate, ka bërë thirrje që të gjithë të heqin dorë nga kushtëzimi për postin e kryeministrit.

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, në “Interaktiv” ka thënë se do ishte mirë që në këto zgjedhje të kishte bashkim të krahut të majtë, PSD-VV-NISMA.

Shpërndarja e Kuvendit pritet të bëhet më 22 gusht, derisa zgjedhjet e parakohshme do mbahen në fund të shtatorit, eventualisht në fillim të muajit tetor.