Arbëri

Sejdiu: Presidenti mund t’ia japë mandatin Kurtit për ta bërë qeverinë pa zgjedhje

Descriptive Text

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se do të ishte interesante nëse presidenti Hashim Thaçi do t’i ofronte mandatin subjektit të dytë të dalë nga zgjedhjet e fundit për të formuar qeverinë, që në këtë rast do të ishte Vetëvendosje.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, Thaçi ia ofroi mandatin Kadri Veselit si lider i koalicionit PAN, fitues i zgjedhjeve të fundit, që të sigurojë votat për të formuar qeverinë e re. Megjithatë, partitë parlamentare janë pajtuar që më 22 gusht të mbajnë seancë për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje. E, sipas Sejdiut, kjo do të mund të shmangej nëse Thaçi do të shfrytëzonte të drejtën ligjore që të mandatojë të dytin, Vetëvendosjen, për të formuar qeverinë.

“Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në aspektin procedural dhe ligjor presidenti ka të drejtë të mandatojë dikë të formojë qeverinë. Subjekti i dytë ishte VV dhe ka mundur të mandatojë, por është në diskrecion të presidentit dhe ka mundur të mandatojë Kurtin për shembull e ai të mbledhë nënshkrimet për të bë qeverinë. Nëse ia jep mandatin, VV e LDK do të mund të bënin një qeveri interesante”, ka thënë Sejdiu. “Do të ishte mundësi e mirë për ata që deklarohen për ndryshim që të organizohen për diçka që do të çonte PDK-në në opozitë”.

Sejdiu megjithatë ka thënë se janë më shumë pro zgjedhjeve.

Për zgjedhjet e ardhshme ai ka thënë se pret që gjithçka të jetë ndryshe në krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe se diskutimet të bëhen mbi programet. Këtu ka propozuar një bashkim të partive të krahut të majtë.


Sejdiu: PSD-ja e vetme në zgjedhje është versioni më real, do të befasojmë

Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se është mirë që të gjithë të heqin dorë nga kushtëzimi për postin e kryeministrit.

“Sa do që është i mirë një individ nuk është superman. Koha e tyre ka kalu”, ka thënë Sejdiu, teksa ka folur për Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

Sipas tij, hisedar në këtë gjendje të keqe në Kosovë nuk është vetëm PDK-ja.

“E kemi një bashkëqeverisje 15 vjeçare me LDK-në”, ka thënë Sejdiu.

Një koalicion me LDK-në ai nuk e ka përjashtuar, por ka thënë se ai duhet të jetë mbi bazën e programeve. Ka folur edhe për AAK-në e Ramush Haradinaj.

“Ne me Aleancën kemi dy mandate bashkëpunim. Po ashtu kryeministri ka iniciuar çështje në Kuvend të cilat nuk i ka iniciuar as ish-kryetari i Prishtinës. Nuk duhet me fsheh që kemi raporte të mira me Prishtinën. Por edhe me Aleancën kemi dallime programore”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka bërë thirrje për një bashkim të të majtës.

“Është ajo që po e them, po nuk po merrem seriozisht si duket, është bashkimi i bllokut të majtë, PSD-VV-Nisma. Të dalim para votuesve me program të majtë”, ka thënë Sejdiu, që megjithatë ka thënë se pret që diskutimi për të majtën do të duhej të jetë debat pas 20 vjetësh.

“Megjithatë, do të ishte me interes që në këto zgjedhje të futemi pak më thellë në aspekte programore”, ka thënë ai.

“Versioni më real është që të garojmë vetë. Do të jetë një garë e vështirë, por unë jam tepër optimist se edhe do t’ia dalim edhe do të befasojmë”, ka thënë Sejdiu.

“Për dallim prej të tjerëve popullzimin nuk e kemi armë për të mbledhur tifozë, por e kemi politikën publike”, ka thënë më tej ai.

Sejdiu ka thënë se, sipas matjeve të tyre, PSD-ja aktualisht ka gati 6 për qind të votave. Ai ka thënë se katër parti të tjera janë në majë, shumë afër njëra-tjetrës, me LDK-në që prin.

“S’jemi të parët. Jemi në garë për një numër deputetësh. Të tjerët janë të gjithë të parët. Kanë qejf. Në matjet tona është e qartë si qëndrojmë. Ka një parti të parë me diferencë të vogël. Diferenca mes të parit, dytit, tretit dhe të katërtit është e vogël. LDK del e para e të tjerët më pas. Ne jemi afër pragut, gati 6 për qind, e besojmë se do të rritemi deri në zgjedhje. Kemi qëllim të bëjmë grup parlamentar”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se PSD-ja mban vijën e kuqe ndaj PDK-së. Për taksën ka thënë se ajo duhet të diskutohet vetëm në një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Më tej ai ka përmendur pesë pikat kyçe të programit me të cilin do të dalin në fushatë: Punësimi dhe ekonomia, mbrojtja sociale e të drejtat në punë, lufta anti-nepotizëm e anti-korrupsion, arsimi dhe ngritja e cilësisë, ambienti.