Arbëri

Kontrabanda e derrave të egër ia sjell Policinë te dera këshilltarit Ristiq

Policia e Kosovës ka bastisur pronën e këshilltarit në Asamblenë Komunale të Ranillugut, Ivan Ristiq, nën dyshimin se kishte kontrabanduar dhe mbajtur jashtëligjshëm kafshë të egra.

Gjatë bastisjes së kryer në pronën e Ristiqit, në fshatin Kormnjan, policia ka gjetur dy derra të egër, që dyshohet se Ristiqi i ka kontrabanduar nga Serbia, shkruan sot Koha Ditore.

Këshilltari Ristiq kishte deklaruar se i kishte importuar derrat nga Serbia pa dokumentacion.

Agjencia Pyjore e Kosovës është duke trajtuar këtë rast gjersa dyshimet janë se këshilltari komunal ka kryer dy vepra penale të mbajtjes në mënyrë të paautorizuar të kafshëve të egra dhe të veprës penale të kontrabandimit.

Zyrtari i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Besim Zogaj, ka deklaruar se në aksionin që është zhvilluar në Komunën e Ranillugut është vendosur masa e sekuestrimit të përkohshëm të derrave, të cilët janë mbajtur paligjshëm nga ana e këshilltarit komunal. Ai ka thënë se derrat e egër do të lirohen në natyrë në qoftë se konstatohet se ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)