Edhe legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës nuk do arrijë të dërgojë deri në fund mandatin e saj katër vjeçar.
Kjo pasi më 22 gusht, deputetët pritet të votojnë shpërndarjen e tij, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, e pas refuzimit të ftesës së Presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë një mandatar të ri.
Si pasojë e kësaj, puna e bërë deri më tani në hartimin dhe shqyrtimin e projektligjeve të shumta do të shkojë huq, raporton KTV.
Ndër to edhe për projektligjin për Qeverinë, për Rregulloren e Punës së Kuvendit e për zgjedhjen e Komisionerit për Informim e Privatësi.
Monitorues të punës së Kuvendit, një gjë të tillë e shohin shqetësuese.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, këtë legjislaturë e ka cilësuar të dështuar.
Puna e bërë deri më tani, sipas Agnesës Haxhiut nga KDI, jo vetëm që do të kthehet në pikën zero, por edhe do t’i mbetet qeverisë së re, nëse do të trajtojë apo jo çështjet e ekzekutivit paraprakë.
Në seancën e 22 gushtit kur shpërndahet Kuvendi, paraprakisht do të votohet për marrëveshjen IPA, që Kosova përfiton rreth 90 milionë euro nga BE-ja.