Arbëri

Kurti do koalicion parazgjedhor me LDK-në, thotë se bashkë i marrin 70 deputetë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër, duke iu referuar zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në fund të shtatorit ose fillim te tetorit.

Nuk ka përmendur emra partish, por nga ajo që ka thënë lë të kuptohet se Kurti dëshiron koalicion parazgjedhor me LDK-në, duke u shprehur se “koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes”.

Kështu Kurti beson se do t’i marrin së paku 70 deputetë.

“Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër”, ka thënë Kurti.

“Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë tutje se Vetëvendosje duhet të fitojë e do të fitojë.

“Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve! Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t'i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare”, ka thënë Kurti.

“Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t'i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi eksod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë...”