Arbëri

Mustafa: Nuk jam kandidat për kryeministër, taksa nuk duhet të hiqet

Foto: Koha / ilustrim

Lideri i zgjedhur për herë të tretë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ai nuk e ka ndërmend të jetë kandidat i kësaj partie për kryeministër dhe se partia do të zgjedhë një person që e “bën më së miri këtë punë, dhe natyrisht që ka përkrahjen e plotë të LDK-së dhe të qytetarëve”.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq, dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje por ky qëndrim mund të ndryshojë dhe varet se si veprojnë partitë tjera.

Mustafa thotë se bisedimet me Serbinë duhet t’i udhëheqë kryeministri në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mustafa, ju jeni zgjedhur për të tretën herë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka pasur edhe deklarata se zgjedhjet nuk kanë qenë shumë demokratike dhe se LDK-ja nuk po ndryshon. Si i vlerësoni këto deklarata?

Isa Mustafa: Ne kemi zhvilluar një proces që ka qenë demokratik, jo vetëm në Kuvend, por edhe në degë edhe nëndegë për një periudhë të gjatë kohore, nuk e kemi pasur një proces të lehtë prandaj konsideroj se e kemi mbyllur mjaft mirë dhe konsideroj se askush nuk mund të gjejë argumente se procesi nuk ka qenë plotësisht demokratik dhe plotësisht i hapur për çdo njeri që ka pasur dëshirë të kandidohet apo ka pasur dëshirë ta marrë vlerësimin e delegatëve të LDK-së.

Tash sfida e parë janë zgjedhjet nacionale të cilat do të jenë kah fundi i muajit shtator të këtij viti, pastaj sfidë tjetër do të jetë zgjerimi dhe forcimi i mëtutjeshëm i LDK-së, do të jenë zgjedhjet lokale dhe unë mendoj se do të dalim mirë si LDK këtu, sepse jemi unikë dhe e kemi të qartë se çfarë dëshirojmë dhe se çfarë mund t'iu ofrojmë qytetarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: I përmendët zgjedhjet, a do të jeni ju kandidat për kryeministër?

Isa Mustafa: Unë sigurisht do të bëj përpjekje që të gjejë një kandidat tjetër brenda LDK-së dhe vetë të mbaj timonin e LDK-së, por do të bëjmë përpjekje që bashkërisht të diskutojmë më Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli vendos për atë çështje dhe unë tani jam i orientuar që në këtë pozitë të jetë një njeri që ta bëjë mirë këtë punë dhe ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës.

/intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/