Arbëri

Specialja vazhdon intervistimet, veteranët kërkojnë përsëri shfuqizimin e saj

Foto: Koha

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj është ish-pjesëtarja e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka pranuar ftesë për tu intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ndonëse ende nuk e di cilësinë në të cilën është ftuar që të dëshmojë, deputetja Kadrijaj thotë se nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në heshtje apo do të përgjigjet në pyetjet e Prokurorit të Specializuar.

“Do të kontaktoj me ndonjë prej avokatëve tonë dhe varësisht prej rekomandimeve që do të marrë prej avokatit edhe do të veproj. Unë jam e lumtur për atë periudhë kohore të jetës sime. Është periudha më e ndritshme dhe vazhdoj me qenë krenare me UÇK-në dhe luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kadrijaj për Radion Evropa e Lirë.

Avokati Arianit Koci, i cili është i akredituar për të përfaqësuar raste pranë Gjykatës Speciale, thotë se ky institucion është treguar i ngathët, pasi janë bërë gati tetë vite prej se fillimisht kishin nisur hetimet.

Koci thotë se Gjykata Speciale është duke menaxhuar në mënyrë të çuditshme edhe procesin e intervistimit të të dyshuarave dhe dëshmitarëve.

“Flitet, ka indikacione që është në fazën e fundit, hetimi i këtyre ditëve edhe pse nuk mundet të garantohet asgjë për shkak se tani e kemi një hetim të pazakontë që 7-8 vite të gjatë, kështu që nuk mundet askush saktësisht të parashikoj se kur do të përfundojnë hetimet dhe në çfarë forme do të ngiten aktakuzat eventuale. Sidoqoftë nëse vazhdon kështu me këtë ngathtësi Gjykata Speciale, e ashtuquajtura, unë do të jem i zëshëm që vitin tjetër mandati të mos i vazhdohet. Mbi të gjitha për të njëjtat çështje i ka trajtuar Tribunali i Hagës, Gjykata e UNMIK-ut si gjykatë ndërkombëtare, Gjykata e EULEX-it dhe gjykatat vendore”, tha Koci.

Në anën tjetër, Veteranët e luftës së UÇK-së, presin që të ketë numër më të madh të ish-pjesëtareve që do të ftohen nga specialja.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha numri i të ftuarve për intervistim nga Prokurori i Specializuar, pritet të rritet deri në fund të muajit gusht.

“Pritet një numër bukur i madh që këtë muaj të lajmërohen në Gjykatën Speciale. Kjo po dihet se më shumë është politike sesa për zbulimin e ndonjë rasti aty-këtu që flitet. Unë gjithmonë besoj se s’do të gjejnë faje dhe nuk do të ketë argumente për këto aktakuza”, tha Gucati.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.