Arbëri

Nis rikonstruktimi i Telekomit që e bën gati atë për shitje

Para privatizimit, Telekomi duhet t’i nënshtrohet një rikonstruktimi, që do ta bëjë atë gati për treg.

E, faza e parë e këtij procesi ka filluar.

Komisioni që do ta bëjë përzgjedhjen e operatorit për vlerësim, pritet të kompletohet të premten, raporton KTV.

Ky ekip do të përbëhet nga tre përfaqësues të BERZH-it, një nga Telekomi që do të jetë Fatmir Gjonbalaj, drejtor i Prokurimit dhe një nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Se faza e parë ka filluar, e ka konfirmuar edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi.

Ky projekt që pritet të kushtojë rreth 450 mijë euro, do të mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në një draft që ka hartuar BERZH-i, thuhet që në plan është identifikimi i masave të ristrukturimit të biznesit, ristrukturimit financiar dhe masave të ristrukturimit organizativ e fuqisë punëtore.

E sa i përket kësaj të fundit, Istrefi nuk e përjashton edhe mundësinë e minimizimit të stafit në Telekom.

Mirëpo, sipas ministrit Valdrin Lluka, një mundësi e tillë nuk duhet të merret parasysh.

Mirëpo, sipas tij, rikonstruktimi i Telekomit është mundësia e vetme që ky institucion të jetë fitimprurës.

Plani i rikonstruktimit të Telekomit pritet të zgjasë gjashtë muaj, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e vazhdimit të këtij afati kohor.

Kjo gjë, në të njëjtën kohë do ta shtynte edhe afatin që ministri Lluka e ka dhënë për privatizimin e Telekomit, që ishte fillimi i vitit 2020.