Bajraktari përjashtohet nga puna, e akuzon drejtorin e SHSKUK-së për hakmarrje

Bajraktari përjashtohet nga puna, e akuzon drejtorin e SHSKUK-së për hakmarrje

31 July 2019 19:55

Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka vendosur ta përjashtojë nga puna kardiologun Gani Bajraktari, tre muaj pasi ai u suspendua për “mos ofrim të ndihmës mjekësore”.

Në një përgjigje të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, thuhet se rasti ishte proceduar pas ankesave të pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë.

“Komisioni Disiplinor i QKUK së, pas shqyrtimit të rastit ka marrë vendim që të njëjtit t'i shqiptohet masa disiplinore, ndërprerje e marrëdhënies së Punës. Rasti ishte proceduar pas ankesave të pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për Koha.net.

Në anën tjetër, Bajraktari, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se lajmin për largimin nga puna e ka kuptuar nga mediat.

Ai ka akuzuar drejtorin e SHSKUK-së, Basri Sejdiu, se po ndërmerr vendime hakmarrëse ndaj tij. Sipas Bajraktarit, krejt kjo ka ardhur për shkak të denoncimeve të tija publike për dukuritë negative, bartës të të cilave ka thënë se është Sejdiu. Sipas Bajraktarit, Sejdiu nuk ka as licencë të kardiologut.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Vendimet hakmarrëse primitive të Drejtorit Aktual të SHSKUK as nuk do të më frikësojnë, as nuk do të më ndalin në denoncimin e dukurive negative, bartës i të cilave është ai vet

Të dashur miq,

përsëri e kuptova nga mediat se Drejtori aktual i SHSKUK paska marrë edhe një vendim për largimin tim nga puna.

Unë nuk kam marr akoma ndonjë vendim për largimin (përjashtimin) tim nga puna, dhe nuk e di se çfarë në fakt shkruan në atë vendim.

Megjithatë, ky vendim është përsëri vendim hakmarrës dhe primitiv, i dirigjuar dhe i diktuar nga Drejtori aktual i SHSKUK, i cili përveç hakmarrjes primitive shumëvjeçare ndaj meje, këtë herë është motivuar edhe më shumë pas denoncimeve të mia publike dhe në organet relevante shtetërore për:

- Vdekjet e pacientëve (të cilat konsiderohen si të evitueshme, të shkaktuara nga mjekimi i pandërgjegjshëm), e të cilat tashmë janë dërguar në Prokurori nga Oda e Mjekëve të Kosovës,

- Për faksimilin e tij të falsifikuar, me të cilin po mashtron opinionin dhe pacientët, sepse ai nuk ka pasur dhe nuk ka licencë kardiologu,

- Denoncimin tim në Odën e Mjekëve të Kosovës për dyshimin mirë të bazuar se ai ka bërë trajtim të pandërgjegjshëm të pacientit, familjarin e të cilit e kishte nxitur haptas që të bëjë deklaratë kundër meje, e në fakt ai dyshohet se ka bërë trajtim të pandërgjegjshëm dhe shkelje etiko-profesionale,

- Denoncimin se ai nuk ka mundur të jetë anëtar i Komitetit Specialistik për Kardiologji pa qenë vet kardiolog,

- Njoftimin publik të institucioneve dhe publikut të gjërë për rritjen e vdekshmërisë më shumë se 50% të pacientëve me Infarkt Akut të Miokardit, nën menaxhimin e tij, meqë nuk kishte shkollim të duhur për ta menaxhuar Klinikën,

- Denoncimin lidhur me copëtimin e Klinikës nga ana e tij, e cila konsiderohet si fakti bosht për rritjen e vdekshmërisë, etj.

Të gjitha këto veprime të mia institucionale në Odën e Mjekëve të Kosovës dhe në organet tjera relevante në nivel shtetëror kanë bazë mirë të arsyeshme se paraqesin vepra penale sipas Kodit të Procedurës Penale të shkaktuara nga Drejtori aktual i SHSKUK.

Duke tentuar që të lë nën hije këto vepra të rënda të tij, të cilat normalisht do të duhej të aktivizonin instancat relevante shtetërore për marrjen e masave emergjente për sanimin e pasojave zingjirore, drejtori aktual i SHSKUK me veprime jo vetëm hakmarrëse, por edhe me qëllim të ndërrimit të kahjes së këtyre veprave, po përdor veprime të papara shantazhuese, orkestruese, denigruese, shpifëse e terrorizuese, ndaj meje dhe kolegëve te mi.

Vendimi për largimin tim nga puna, pavarësisht se nuk e kam pa (por mund ta imagjinoj), do të jetë përsëri vendim qesharak, i pabazuar, tendencioz, antiligjor, me motive të ulëta, etj., të cilin jam shumë i sigurt se Inspektorati i Punës përsëri do ta rrëzojë sepse nuk ka as edhe një argument të vetëm se unë kam bërë as edhe gabimin më të vogël në punën time profesionale.

Vet forma e marrjes së vendimeve nga Drejtori i SHSKUK tejkalon vendimet moniste të kohës së komunizimit, për faktin se ai vet ka ndërmarrë veprime mjekësore ndaj pacientit (pa qenë në orar të punës, e me të cilat dyshohet se ka bërë shkelje të rëndë profesionale), vet ka marrë vendim për suspendimin tim, vet ka emëruar Komisionin Disiplinor, etj!

Si mund të jetë valid një vendim i një Komisioni Disiplinor, kryetarit të të cilit unë i kam bërë Kallëzim Penal në Prokurori për veprime të qëllimshme të pabazuara, jo-profesionale, tendencioze, dhe me motive inkriminuese për të, ndaj meje? Përsëri ky njeri ishte emëruar Kryetar i komisionit Disiplinor. Pra, shihet qartë se Drejtori Ekzekutiv nuk kishte arritur që të gjejë edhe një njeri të vetëm në QKUK, i cili do të firmoste një vendim antiligjor nda meje, dhe kishte angazhuar përsëri të njëjtin për të marrë një vendim të tillë, ndërkohë që dy anëtarët tjerë kishin dhënë dorëheqje nga ky komision duke shmangur mundësinë që të turpëroheshin për herë të dytë me vendimet e tyre absurde!

Me këto veprime absurde, të çuditshme, tendencioze, të pabazuara, Drejtori aktual i SHSKK nuk është duke më dëmtuar mua, ai është duke dëmtuar rëndë pacientët në nevojë!

Unë përsëri do të fitojë, sikurse që fitova të gjitha inskenimet që drejtori aktual i SHSKUK kishte bërë në të kaluarën ndaj meje.

Me respekt,

Prof.dr. Gani Bajraktari

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme