Arbëri

Mustafa: LDK-ja do të dalë e para në zgjedhjet e shtatorit

Ndonëse ende nuk janë caktuar zgjedhjet e reja, kreu i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se ato do të mbahen në shtator, e se LDK-ja do të dalë e para.

Në një prononcim në profilin e tij në Facebook, pas mbledhjes që ka mbajtur në parti, ai nuk ka dhënë kurrfarë sinjali as se do të konkurrojë e as që nuk do të konkurrojë për edhe një mandat në krye të LDK-së.

Kreu aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka treguar se më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor, e ka thënë se për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme.

“Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet”, ka thënë Mustafa.

Lexo edhe: Në LDK nuk tregojnë nëse ka marrëveshje për kryetar, të gatshëm për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës

Ai ka thënë se ka pritur dhe pret që edhe kundërshtarët e tyre politikë ta urojnë për punë të mbarë. 

“Nuk i marr seriozë as të pjekur ata që na dëshirojnë karrige. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëri-tjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brenda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë tutje se LDK-ja nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie.

“Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shprehur bindjen se LDK do të dalë e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor.

“LDK do të dalë e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë”, ka thënë Mustafa.