Arbëri

Kushtetuesja i përgjigjet Avokatit të Popullit në pretendimet për Ligjin për Noterinë

Foto: Koha

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të ligjshëm amandementimin e Ligjit mbi Noterinë.

Për noterët ka qenë kontestuese mosha e pensionimit. Kjo pasi që në Ligjin e vjetër të Noterisë mosha e pensionimit për këta zyrtarë që ushtrojnë funksione publike ka qenë mosha 70 vjeçare. Me ndryshimet e ligjit të ndodhura rreth një vit më parë mosha e pensionimit është 65 vjet e jo 70 sa ka qenë ne ligjin e vjetër.

Në prill të këtij viti Avokati i Popullit ka kontestuar legjitimitetin e disa neneve të ligjit të amandamentuar për Noteri.

Avokati i Popullit ka kërkuar interpretim të kushtetueshmërisë për paragrafin e dytë të nenit 32 që ka të bëjë me të drejtën e noterëve që të lëshojnë dokumente zyrtare edhe në gjuhët të cilat nuk janë zyrtare në Kosovë. Në të njëjtën parashtresë Avokati i Popullit pati kërkuar edhe interpretim për nenin 41 dy paragrafë të cilit në rast të nevoje parashohin që noterët të kryejnë shërbime pa pagesë.

Për nenin 76 të këtij ligji që ishte kontestuar legjitimiteti ishte kufizimi i moshës së pensionimit. Për zbatimin e këtij neni Gjykata Kushtetuese kishte vendosur masë të përkohshme. Kjo ka bërë që noterët e pensionuar të vazhdojnë punën.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese të gjitha nenet e kontestuara nga Avokati i Popullit në lidhje me Ligjin për Noteri nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Koha Ditore” javë me parë ka raportuar se si noteri Isak Ademi po e vazhdon punën edhe pas moshës 70 vjeçare me pretendimin që neni që e kufizon moshën e pensionimit në 65 vjet është i paligjshëm,.

Siç ka mësuar gazeta janë edhe dy noterë të tjerë që kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që t’u vazhdohet puna edhe pas moshës 70 vjeçare.

Në njoftimin për media të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve të kontestuara të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, për të cilat parashtruesi i kërkesës pretendonte se nuk janë në pajtueshmëri me nenin 5 [Gjuhët] dhe me paragrafët 1 dhe 3, të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës më tej kërkoi që, Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë zbatimin e neneve të kontestuara deri në vendimin përfundimtar të kësaj Gjykate, duke pretenduar se ‘kërkesa është prima facie e bazuar, dhe se me nenet e kontestuara të ligjit të kontestuar subjekteve të caktuara u shkaktohen dëme të pariparueshme …’”.

“Kërkesa bazohej në paragrafin 2, nënparagrafin 1, të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) dhe në paragrafët 1 dhe 2, të nenit 116 (Efekti Juridik i Vendimeve) të Kushtetutës, nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Gjykata, thotë se në pajtim me nenet 13. 2 (1) dhe 116. 2 të Kushtetutës, nenet 27 (1), 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në bazë të rregullave 29, 56 (1), 57 dhe 59 (1) të Rregullores së punës, vendosi që fillimisht ta deklarojë njëzëri kërkesën të pranueshme; po ashtu njëzëri të konstatojë se nenet e kontestuara 32 (paragrafi 1), nenit 41 (paragrafët 1.3 dhe 1.4), nenit 2 (paragrafi 7) dhe neni 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit Nr. 06/010 për Noterinë, nuk janë në kundërshtim me nenin 5 [Gjuhët], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; dhe së treti me shumicë votash të konstatojë se neni 76 (paragrafi 2) nuk është në kundërshtim me nenin 5 [Gjuhët], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Në fund, Kushtetuesja ka vendosur “ta shfuqizojë vendimin për caktim të masës së përkohshme të 20 majit 2019, të vazhduar më 19 korrik 2019, në lidhje me nenin 76 (paragrafi 2), nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit Nr. 06/10 për Noterinë”.