Arbëri

Prokurori Esat Ademi po hetohet për porosinë e produktit për nxitje seksuale nga zyra e tij

Llogaritë e ndryshme për blerje online, janë bërë të shpeshta në rrjetet sociale.

E këtë mundësi e kanë shfrytëzuar edhe persona zyrtarë.

Esat Ademi, prokuror i shtetit, javë më parë kishte bërë një porosi të pazakonshme, raporton KTV.

Me llogarinë e tij në Facebook, ai kishte porositur produkte për nxitje seksuale, të cilat kishte planifikuar t’i pranonte në vendin e tij të punës - në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Ekipi i Kohavisionit ka provuar të kontaktojë edhe prokurorin në fjalë, i cili nuk është përgjigjur në telefon.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, kanë thënë që nuk kanë se çka të deklarohen.

Në anën tjetër, mënyra e blerjes që ka kryer prokurori po shihet si e papranueshme nga ana e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Sipas këtij instituti, tash i takon Prokurorisë Themelore të marrë masat disiplinore ndaj Ademit.

Masat disiplinore që mund të merren ndaj prokurorit në fjalë, sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial, janë qortimi, qortimi me urdhër për ndërmarrje të veprimeve korrigjuese, zvogëlim i përkohshëm i pagës, ulje në detyrë apo propozim për largimin nga detyra të Prokurorit të Shtetit.