Sot gjykata konfirmoi mandatin e socialistit Valdrin Pjetrit si kryebashkiak të Shkodrës, por për demokratet në detyrë do qëndrojë Voltana Ademi deri në zgjedhjet e pasardhësit në mënyrë të ligjshme.
Selia blu ka dalë sot në një deklaratë për media, ku përmes ish-deputetes Izmira Ulqinaku deklaron se Shkodra nuk mund të qeveriset nga pakica e 6% dhe nuk do të do t’i dorëzohet krimit.
“Sot, përmes mediave, të gjithë shkodranët janë njohur me aktin e rrodhes të farsës së 30 qershorit. Don Kishoti që ‘triumfoi’ me ‘mullinjtë e erës; në votime moniste si në kohën e diktaturës komuniste, u shpall fitues i votimeve socialiste nga një gjykatës i vënë nën presion nga ethet e vettingut që i rri mbi kokë sistemit të drejtësisë në vend.
Partia Demokratike e Shkodrës është e vendosur në mbrojtjen e Kushtetutës, Dekretit të Presidentit të Republikës dhe ligjeve të këtij vendi.
Asnjë vendim i asnjë institucioni në shkelje ligjore, të lirive e të drejtave themelore të njeriut, nuk do të njihet nga banorët e Bashkisë së Shkodrës. Çdo përpjekje për t’ju imponuar shkodranëve përmes institucioneve të kapura dhe që shkelin Kushtetutën, Dekretin e Presidentit dhe ligjet e Shqipërisë, do të përballet me vendosmërinë e njohur të shkodranëve.
Në 2015-ën, përmes një procesi gjithëpërfshirës, të lirë, demokratik dhe të njohur nga të gjitha forcat politike në vend dhe nga ndërkombëtarët, janë zgjedhur kryebashkiakët e ligjshëm në 61 bashkitë e vendit, mes tyre edhe Bashkia e Shkodrës.
Këta kryebashkiakë kanë detyrimin kushtetues, ligjor por edhe moral të qëndrojnë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre me një proces të ligjshëm dhe kushtetues.
Partia Demokratike Shkodër i bën thirrje Edi Ramës dhe sejmenëve të tij lokalë, të mos e provokojnë Shkodrën e shkodranët me individë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga vota e qytetarëve.
E kemi përsëritur dhe e përsërisim edhe sot: Shkodra nuk mund të qeveriset nga 6% e atyre që edhe me dhunë, u detyruan të bëhen pjesë e farsës së 30 qershorit.
Shkodranet nuk kane për të pranuar kurrë që edhe Bashkinë Shkodër t’ia dorëzojnë krimit të organizuar, t’ia dorëzojnë përfaqësuesit te emëruar prej tyre. Çdo përpjekje për të vepruar ndryshe, është e dështuar dhe do të përballet me rezistencën qytetare, paqësore të të gjithë popullit që me 30 qershor i dha përgjigjen këtij regjimi duke e braktisur masivisht”, theksoi Ulqinaku/Shekulli.