Arbëri

KDI: Edhe SHSKUK-në po e shoqërojnë parregullsitë në procesin e tenderimit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një tryeze diskutimi sot ka paraqitur parregullsitë dhe problemet që janë hasur nga analizimi i procesit të tenderimit me produkte dhe pajisje medicinale nga Lista e Esenciale e Barnave i realizuar nga ana e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

KDI thotë se ka analizuar 12 mostra të dosjeve të tenderit të përpiluara gjatë periudhës mars-qershor 2019, nga ku është gjetur se përfshirja e kërkesës për Autorizimin për Marketing në Dosjet e Tenderit është duke kufizuar konkurrencën në tenderët për furnizim me produkte medicinale.

Liridona Behrami nga KDI, me këtë rast ka theksuar se Operatorët ekonomik (OE) po hezitojnë të paguajnë çmimin prej 2,000 euro për Certifikatë të Autorizimit për Marketing, vetëm që të përmbushin kriterin për të aplikuar. Kjo ka ndikuar që në thirrjet për tender nga ShSKUK-ja të ofertojnë më pak operatorë.

Gjithashtu ka bërë të ditur se ShSKUK-ja vazhdon të blejë produkte dhe pajisje medicinale që nuk i përshtaten specifikave të përcaktuara me Listën e Esenciale e Barnave. Në katër dosje të tenderit, edhe pse janë vendosur specifikat e produkteve sipas LEB-së, operatorët ekonomikë janë lejuar të ofertojnë me produkte, specifikat e të cilave nuk janë përshtatur me ato në Dosje të Tenderit. Veprimi i tillë është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik, ku përcaktohet qartë se vetëm Operatorët Ekonomikë që ofertojnë me produkte sipas kërkesave dhe specifikave të përcaktuara në Dosje të Tenderit, konsiderohen të përgjegjshëm.

“Tejkalimi i vlerës së parashikuar është një tjetër problem i tenderëve në ShSKUK. Vlera e parashikuar përcaktohet nga Autoriteti Kontraktues dhe paraqet çmimin përfundimtar që duhet të paguhet për produktet e caktuara. KDI ka gjetur se në 10 lote të përfshira në gjashtë tenderë, vlera e parashikuar është tejkaluar për 13%. Kjo tregon për probleme në fazën e planifikimit të tenderimit”, shtoi ajo.

Një problem i vërejtur në Dosjet e Tenderëve të SHSKUK-së janë sipas Behramit, kriteret jo të standardizuara.

“Përderisa kërkesa mbi mundësitë ekonomike dhe financiare nuk aplikohet në asnjë Dosje të Tenderit, kërkesa mbi mundësitë teknike dhe profesionale, është përfshirë vetëm tek tenderët për furnizim me pajisje medicinale (materiale shpenzues) por jo edhe në tenderët për furnizime me produkte medicinale (barna dhe citostatik). Duke mos aplikuar kritere standarde, Autoriteti Kontraktues mund të favorizojë apo diskriminojë kompanitë në një proces tenderimi”, sqaroi më tej ajo.

Bazuar në të gjeturat nga kjo analizë, KDI rekomandon që ShSKUK në Dosjet e Tenderëve duhet të përdorë kritere të standardizuara për të gjithë tenderët, të sigurohet që Operatorët Ekonomik fitues të plotësojnë kriteret minimale financiare dhe profesionale, caktimi i vlerës së parashikuar të bëhet konform rregullave si dhe blerjet të bëhen konform specifikave nga Lista Esenciale e Barnave.

Sa i përket Autorizimit për Marketing që është kriter i domosdoshëm për fitim të një tenderi, KDI-ja rekomandon që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja do të duhet ta pranojnë Autorizimin për tregtim të lëshuar nga shtetet si Gjermania dhe Britania e Madhe, pasi që me këto shtete ekzistojnë procedurat për njohje të njëanëshme të Autorizimit për Marketing. Para nënshkrimit të kontratës OE fitues i tenderit duhet të kushtëzohet që të pajiset me Certifikatën e Autorizimit për Marketing nga Agjensioni për Produkte dhe Pajisje Medicinale i Kosovës.