Përafrimi i kamotshëm i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, me Lëvizjen Vetëvendosje e madje edhe koalicioni i tij në Komunë me këtë parti në vitin 2016, pati shtuar zërat se aderimi i tij nga AKR-ja në Vetëvendosje, do të jetë i shpejt.
Ndonëse ende asgjë nuk është zyrtarizuar, emri i tij për dorëheqje nga partia në të cilën ishte deri tash po përmendet.
Mirëpo sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, i ka thënë Koha.net se nuk ka asgjë zyrtare sa i përket dorëheqjes së Bahtirit nga AKR-ja.
Sipas tij, ai ka dhënë disa herë dorëheqja nga partia, e pastaj është rikthyer përsëri.
“Ne zyrtarisht nuk kemi ndonjë gjë, as me gojë as me shkrim, përkundrazi ai është kryetari i një komune, tash me u deklaru nëpër portale e mos me shku zyrtarisht tek partia nuk ka sens. Kështu që unë nuk po besoj që ka thënë, por nëse ka thënë nuk ka sens. Plus asaj me u marr me të tilla deklarata në këtë kohë kur neve na nevojiten njerëz të përgjegjshëm krijojnë huti në opinione. Kështu ka qenë qe dy vjet ai tre-katër herë ka dhënë dorëheqje, kjo nuk është hera e parë, kështu që nuk mundem me komentu, ajo është e drejtë e tij”, thotë ai.
Ndërkaq duke komentuar kërkesën për një koalicion me Vetëvendosjen, Makolli e ka quajtur një gabim të tij.
Ai thotë se kërkesa të tilla duhet të diskutohen me partinë që të analizohet interesi i përgjithshëm, e pastaj interesi i vetë subjektit.
“Nëse ai ka një interes me shku, ai duhet ta shikojë interesin e përgjithshëm. Një njeri i cili e ka një pozitë siç e ka Agimi dhe me dhënë kësi deklarata, mu po më duket që nuk është në rregull, sepse nuk merren deklaratat ad-hoc, po shkoj tash aty ose aty, duhet edhe baza me u pyet e lëre më partia dhe rrethi i ngushtë’, ka deklaruar ai.
Tutje Makolli duke folur për koalicione, ka thënë se nuk kanë vija të kuqe me askënd, por se do të shikohet interesi i përgjithshëm i shtetit.
“Ne nuk e dimë njëherë ende se si do të rrjedhin situatat. Nuk kemi vija të kuqe për askënd, tentojmë me shku vetëm në zgjedhje por nëse ndryshon situata ne do të shikojmë së pari se ku është interesi i përgjithshëm i shtetit”, thotë ai.
Burime të Koha.net kanë bërë të ditur se Bahtiri do të aderojë në Lëvizjen Vetëvendosje. Portali ka provuar të kontaktojë me Bahtirin, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.
Kjo është figura e dytë e rëndësishme brenda AKR-së që tërhiqet nga partia brenda një kohe të shkurt, pas largimit të deputetit Labinot Tahiri.