Arbëri

Lajmërohet Thaçi, javën e ardhshme thotë se nis konsultimet me partitë politike

Foto: Alban Bujari/Koha

Zyra për media e Presidencës së Kosovës, njofton se presidenti Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë. Për më tepër, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përcjell Koha.net.

Më tej, në njoftim thuhet se presidenti i Republikës së Kosovës “i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij në ekzekutiv, pas ftesës që ka marrë për intevistim si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Prej atëherë ky është veprimi i parë i presidentit Thaçi për të dalë nga ngërçi. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës mbetet funksional. Kryesia e institucionit më të lartë legjislativ në vend nuk është mbledhur për të caktuar seancë në të cilën ose do të shpërndahej kjo legjislaturë ose do të bëhej përpjekje për gjetjen e një formule për zgjedhjen e një kryeministri të ri, për vazhdimin e mandatit.