1 perditesime
Arbëri

Sveçla: Lista e përbashkët me LDK-në garancë e fitores, por kushti është që Kurti të jetë kandidat për kryeministër

Sveçla: Lista e përbashkët me LDK-në garancë e fitores, por kushti është që Kurti të jetë kandidat për kryeministër
23:53

Sveçla: Lista e përbashkët me LDK-në garancë e fitores, por kushti është që Kurti të jetë kandidat për kryeministër

Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla, ka thënë se qëllimi i bashkëpunimit me LDK-në është që të rrëzojnë këto parti e të mos vijnë më në pushtet.

“Dallimet që i kemi me LDK-në nuk mund të fshihen. Por, qëllimi i bashkëpunimit me LDK-në është që sa më shpejtë ta rrëzojmë këtë qeveri dhe po ashtu të ndikojmë në punën e Kuvendit që të sjellë ligje sa më të mira dhe të mbikëqyrim ekzekutivin përmes mekanizmave të Kuvendit. Tani me LDK-në po synojmë të bëjmë çkapjen e shtetit. Është fakt se ky shtet tash s’është i kapur prej LDK-së, por ‘Zajednica’ tash ka rënë, dhe këto më s’janë tema kyçe. Duhet të ndalim të këqijat, siç janë aventurat e presidentit me Serbinë, të ndalim humbjen e territorit e të ndalim degradimet”, u shpreh Sveçla në një intervistë për Interaktiv të KTV-së.

“Përderisa po pajtohemi me LDK-në që ndodhemi në këtë situatë dhe ky proces na çon tej kësaj situate, po vazhdojmë bashkëpunimin. Sikur ne do të mund të fitonim të vetëm, do të vazhdonim rrugëtimin të vetëm, por kjo është e pamundshme. Aleati më i përshtatshëm në rrethanat aktuale është LDK-ja”, theksoi deputeti i VV-së.

Ai tha se me LDK-në nuk janë duke bërë pazare, “por po bisedojmë se çfarë të bëjmë për korrupsionin e për shumë procese negative që kjo qeveri e ka futur Kosovën”.

Sveçla foli edhe për mundësinë e hyrjes në një listë të përbashkët me LDK-në në zgjedhjet e ardhshme, gjë e cila tha ai se ua siguron fitoren absolute.

“Lista e përbashkët është garancë e fitores absolute, por kushti është që Albin Kurti të jetë kandidat për kryeministër si personi më i votuar në zgjedhjet e fundit”, tha ai.

Ai tha se janë në pritje të përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor të LDK-së që të marrin qëndrimin e tyre në lidhje me mundësinë e një liste të përbashkët dhe për kandidimin e Kurtit për kryeministër të kësaj liste.

“Po presim të përfundojë procesi i tyre (LDK) i brendshëm zgjedhor. Është legjitime që edhe ata të kërkojnë që kryeministri të jetë i LDK-së, por do të jetë forca e argumentit që do të bind secilin se kush do të jetë kandidat. Por, VV është e gatshme të kandidojë edhe e vetme. Jemi të bindur se me mbështetjen e diasporës do të dalim të parët. Nuk do të dëshironim që forcat e njëjta të vazhdojnë qeverisjen”, theksoi deputeti Xhelal Sveçla.

Ai foli pak edhe për ndarjen që ka ndodhur në VV, të cilën ai nuk e quajti ndarje por tha se nga partia nga e cila vjen ai “kanë dalë një dyzinë aktivistësh dhe disa deputetë”.

VV s’e sheh për aleat PSD-në në asnjë rrethanë

Sveçla ka thënë se partia e tij nuk e sheh si aleat PSD-në në asnjë rrethanë.

Duke folur për një bashkëpunim të mundshëm të VV-së me ish-deputetët e saj, tash pjesë e PSD-së, Sveçla ka thënë se s’ka kurrfarë arsye që të ketë bashkëpunim mes këtyre partive.

“Çfarë faktorë janë që ne t’i konsiderojmë. S’i shoh as si faktorë politikë. Pse s’merrni shembull një subjekt tjetër që ka dy për qind mbështetje. Është e qartë që s’mund të kalojnë pragun vetë. Nëse futen në koalicion është çështje e tyre. S’është në interes tonin. VV-ja s’bashkëpunon me dikë për të bërë pazare. Nëse ne do të bënim diçka të tillë s’do të zgjidhnim partnerët. Po të donim të ishim pjesë e çfarëdo pushteti deri tash do të ishim. Nga viti 2008 tashmë dihet se ne jemi faktor si brenda edhe jashtë Kuvendit. Ne s’kemi dashur të jemi pjesë e çfarëdo lloj qeverisje. Është dëshmi edhe marrëveshja e VLAN-it kur ne kemi kufizuar partitë tjera për çështje parimore e s’kemi kërkuar asnjë post”, ka thënë Sveçla.

Nëse VV-ja do të udhëhiqte me qeverinë, Sveçla ka thënë se do të çlironte komunitetin serb nga “shantazhi dhe presioni që u bëhet prej Listës Serbe”.

Po ashtu ai ka thënë se në “momentin e parë që do të gjendej një rrugë ligjore për të shkarkuar Hashim Thaçin nga pozita e presidentit, VV-ja do ta bënte këtë”.

“Ai është treguar figurë manipulative, figurë që ka dëmtuar seriozisht Kosovën. Ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me aleatët, për interesa personale. Ka ndërmarrë aventura të ndryshme, çoftë bisedime sekrete me Vuçiqin, e çoftë veprime tjera që kanë cenuar integritetin territorial të vendit”, ka shtuar Sveçla.

23:34

Sveçla: Thaçi e Veseli janë marrë në pyetje nga Specialja

Xhelal Sveçla, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se edhe kryeparlamentari edhe presidenti janë marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

Kështu ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, kur ka shtuar se edhe Ramush Haradinaj ka mundur të mos dorëhiqej nga posti i kryeministrit për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ditë më parë Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për të shkuar në Hagë për t’u intervistuar si qytetar i thjeshtë dhe jo në rolin e kryeministrit. Sveçla ka thënë se edhe Haradinaj mund të mos dorëhiqej njëjtë siç kanë bërë edhe dy liderët tjerë shtetërorë.

Ai ka thënë se Haradinaj e ka ditur që qeveria që ai po udhëheq nuk do të ketë jetë të gjatë dhe për këtë ka vendosur të dorëhiqet për të faktorizuar veten.

“E ka ditur se s’është qeveri me jetë të gjatë dhe ka dashur të faktorizojë vetveten, e ka dashur të qeverisë si kryeministër në detyrë. S’ka dallim nga kryeministri dhe ai në detyrë. Ka mundur të shkonte sikur siç po flitet, e duket se është e vërtetë, edhe Kadri Veseli është intervistuar në rolin e kryeparlamentarit. Tashmë edhe Thaçi është intervistuar. Veseli në Frankfurt, e Thaçi dy herë në raste të ndryshme. Vendndodhjen nuk e di. Është intervistuar dy herë. E vazhdojnë të jenë në këto pozita”, ka deklaruar ai.

“Në vetvete ky veprim s’ka ndonjë vlerë. Është kalkulim politik për përfitime personale e grupore duke u viktimizuar për një çështje që ne e kemi kundërshtuar qysh në fillim. Më 2015 ne kemi kundërshtuar Specialen. Nëse kanë menduar se ndërkombëtaret tallen e se Serbia zbutet duke bërë konsensione apo se liderët kanë menduar se gjykata do të merret vetëm me komandantë të nivelit të dytë kanë gabuar. Kjo dihet se është gjykatë e njëanshme, ku shumica absolute e kryerësve të krimeve serbe në Kosovë nuk janë zbuluar. Është gjykatë politike, por është dashur të luftohet nga fillimi e jo me ndërskamca”, ka thënë ai.

“Kjo qeveri ishte çështje ditësh kur do të binte. Haradinaj e kuptoi se në këtë mënyrë do të përfitonte për vete dhe për partinë, gjë që s’është korrekte. Deklarata e dorëheqjes së tij ishte fillimi i fushatës së ardhshme. Ai deklaroi se edhe në zgjedhjet e reja do të kandidojë. Në çfarë cilësie do të kandidojë ai? Në cilësinë e të dyshuarit? Nuk ka kurrfarë argumenti të drejtë për të sqaruar këtë situatë. Ai e bëri këtë me idenë për t’u faktorizuar me idenë se do të shtojë përkrahje”, u shpreh deputeti i VV-së.

Ai ka thënë se dorëheqja e Haradinajt është mirë për Kosovën. Sipas tij, Qeveria Haradinaj çdo katër ditë ka pas nga një megaskandal.

Zgjidhje të vetme ka thënë se i shohin vetëm zgjedhjet e menjëhershme.

Këtu ka shtuar se presidenti Hashim Thaçi bën lojëra për të faktorizuar veten në këtë fazë, apo për të ndihmuar PDK-në.

“Dorëheqja e kryeministrit Haradinaj ka qenë e kërkuar që një kohë të gjatë nga ne. Normalisht s’kemi dashur të ndodhë kështu, por është mirë që kjo Qeveri ka rënë. Qeveri që njihet si qeveri e skandaleve. Është llogaritur që për çdo katër ditë ka pas nga një megaskandal. Edhe mediat kanë raportuar në baza ditore për këto skandale. Mirë që ka rënë. Duhet të shkojmë përpara me zgjedhje. Në skenën politike gjërat janë të ditura, e panjohura është këtu. Lojërat e Hashim Thaçit që tashmë jemi mësuar. Ai bën lojëra me qëllim të faktorizimit të vetvetes apo ndihmës së drejtpërdrejtë të PDK-së pasi është realisht lideri i asaj partie. S’ka zgjidhje tjetër. Duhet zgjedhje menjëherë. Duhet lënë këto lojërat për qeveri teknike, duhet ikur improvizimeve që do të sillnin situata edhe më të pakëndshme për qytetarët dhe vendin dhe qysh nesër presidenti duhet të thërrasë liderët për të caktuar datën e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.