Arbëri

Kuvendi, dritë jeshile auditimit në RTK

Descriptive Text

Kuvendi i Kosovës i ka dhënë të drejtën Auditorit të Përgjithshëm që të vazhdojë dhe të përfundojë procesin e auditimit të performancës apo menaxhimit të fondeve në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), duke e konsideruar të pabazuar hezitimin dhe pretendimin e menaxhmentit të RTK-së se procesi bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e tjera përkatëse.

Letrën në formë mbështetjeje, të cilin e posedon “Koha Ditore”, Kuvendi e ka dërguar këto ditë te Auditori. E ka arsyetuar duke thënë se “kompetencat e Auditorit janë të përcaktuara me Kushtetutë, me ligje dhe akte të tjera nënligjore për auditimin e të gjitha organizatave buxhetore, agjencive të pavarura publike, ndërmarrjeve publike dhe të autoriteteve të tjera që menaxhojnë fonde publike”.

Ashtu siç ka mësuar gazeta, raporti final pritet të bëhet publik nga Auditori kah muaji tetor.

Procesi i auditimit të performancës në RTK ka filluar vitin e kaluar, pas kërkesës së marrë nga Kuvendi, më konkretisht nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike.

Mirëpo, që nga fillimi Zyra e Auditorit, ashtu siç edhe ka deklaruar vetë Auditori, Besnik Osmani, muajin e kaluar gjatë një mbledhjeje të Komisionit për Buxhet dhe Financa, është përballur me shqetësimin e menaxhmentit të kaluar, por edhe të këtij aktual rreth këtij procesi. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)