Arbëri

Nisma thotë se është e gatshme për zgjedhje

Nisma Socialdemokrate është deklaruar e gatshme për zgjedhje të reja, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kjo parti sot ka mbajtur mbledhje me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve të Nismës Socialdemokrate dhe pas takimit ka thënë se është diskutuar për situatën e krijuar në vend pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Nisma Socialdemokrate vlerëson se pas situatës së krijuar vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, prandaj Nisma është e gatshme të hyjë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Sa i përket ftesës nga Gjykata Speciale për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj ka thënë se “ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së”.

Limaj ka thënë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve.