Arbëri

Molliqaj thotë se Kurti po i vardiset Thaçit, por “do të mbetesh i vetmuar”

Descriptive Text

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, i është përgjigjur kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, pak pasi ky i fundit përfshiu kalimin e deputetëve të VV-së në PSD, ndër arsyet pse vendi duhet të shkojë menjëherë në zgjedhje.

Kurti sot tha se arsye e parë pse presidenti Hashim Thaçi duhet të çojë vendin në zgjedhje të menjëhershme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit është “deformimi i vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017”. Aty theksoi kalimin e AKR-së nga LAA-ja te PAN-i dhe ikjen e disa deputetëve të VV-së, të cilët kaluan në PSD. Këtë e quajti “partiçkë”.

Molliqaj, pjesë e deputetëve që kaloi nga VV-ja në PSD, i është përgjigjur Kurtit duke thënë se inati personal i tij ndaj PSD-së e ka sjellë në një pikë ku Thaçit i drejtohet me respekt dhe ia njeh autoritetin. Molliqaj ka thënë se kjo do ta lë të vetmuar Kurtin, ndërsa shtoi se partia e tij, PSD-ja, do të jetë befasi e zgjedhjeve.

“Inati personal i Kurtit ndaj PSD-së e ka sjellur në pikën ku Thaçit i drejtohet me respekt dhe ia njeh autoritetin presidencial. Por bash karakteri i tillë inatçor do ta lë të vetmuar e për toke. Sado le t'i vardiset Thaçit për pushtet. Shumë mirë qe po afrohen zgjedhjet dhe do ta shohim aty fuqinë e secilit. PSD do të jetë befasia e këtij procesi (e për parashikuesit e izoluar, dëshpërimi i jetës)”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.