Spektri politik në Kosovë është në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Vetë Haradinaj ka paralajmëruar se nga fillimi i javës do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje. Në kohën kur Haradinaj dha dorëheqje, në Kosovë nuk ishte as kryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ndodhej në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është autoriteti kompetent që të ndërmarrë veprimin e parë nuk ka dhënë ndonjë njoftim të ri, përveç një reagimi që e kishte të premten në rrjetin social Facebook.
Thaçi kishte shkruar aty se si President i Republikës së Kosovës do të veprojë bazuar në kompetencat e tij dhe Kushtetutës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit.
Ndërkaq, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se kryesia e partisë do të mblidhet së shpejti për të marrë vendime për hapat e mëtutjeshme pas dorëheqjes së kryeministrit.
Në anën tjetër, opozita është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Ky ishte qëndrim i shprehur nga opozita edhe para dorëheqjes së Haradinajt.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës që t’i nisë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Thirrja e LDK-së, drejtuar presidentit Hashim Thaçi pasoi mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, e thirrur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se "LDK nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve”.