Mundësia e presidentit pas dorëheqjes së Haradinajt Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Mundësia e presidentit pas dorëheqjes së Haradinajt

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 20 July 2019 11:03

Ramush Haradinaj ka thënë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit se mandatin ia kthen popullit. Sipas tij, sovrani duhet të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai i ka bërë thirrje presidentit të shtetit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Por, sipas Kushtetutës, zgjedhjet e parakohshme nuk imponohen nga dorëheqja e kreut të Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Është paragrafi i pestë i nenit 95 të aktit më të lartë të shtetit që saktëson veprimet të cilat duhen ndërmarrë, me të mbetur Qeveria pa shefin e saj.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në Kushtetutë.

Mbështetur në dokumentacionin e deponuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma është kryeparlamentari Kadri Veseli. Pikërisht nga ai presidenti Thaçi do të mundë ta kërkojë emrin e mandatarit për ta formuar Qeverinë e re.

Por, edhe sikur AAK-ja e Haradinajt të mos ishte për zgjedhje të reja, koalicioni nuk do të mundë ta bënte Qeverinë e re. Kjo për shkak se Kushtetuta kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit, dhe se Qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm në rast se merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Qeveria Haradinaj kishte marrë besimin pikërisht nga minimumi kushtetues i votave të deputetëve. Pro saj ishin vetëm 61 nga 120 ligjvënës, sa ka Kuvendi. Vetëm pak muaj kishte ruajtur këto vota dhe prej më shumë se një viti e gjysmë Qeveria funksionon pa e pasur shumicën e deputetëve. Në këtë rrethanë, koalicioni e ka të pamundur zgjedhjen e Qeverisë së re.

Haradinaj ka publikuar vendimin për dorëheqje, por ka thënë se tek të hënën nëpërmjet shkresave zyrtarisht do t’i informojë përfaqësuesit institucionalë dhe partnerët e koalicionit. Po kështu, edhe që t’i kërkojë kreut të shtetit që t’i shpallë zgjedhjet e reja.

Presidenti Thaçi e ka bërë vetëm një deklarim të shkruar, të cilin e ka publikuar në rrjete sociale. Aty nuk i ka përmendur zgjedhjet.

“Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij”, ka shkruar Thaçi. “Si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë”.

Kompetenca kushtetuese e presidentit është vetëm të kërkojë propozimin për mandatarin e ri.

Kryeparlamentari Veseli, që është përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma, tek të shtunën do të kthehet nga një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk ka saktësuar se si do të veprojë për mandatarin.

“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj”, ka deklaruar Veseli. “Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme