Arbëri

Sejdiu: Dorëheqja e Haradinajt e befasishme, zgjedhjet e reja opsioni më i mirë

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, lajmin për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj e ka quajtur të befasishëm.

Ai tutje për KTV-në ka thënë se arsyeja e dorëheqjes që është dhënë nga kryeministri, është serioze.

“Nuk besoj që ka shqiptar që i gëzohet ftesës së Gjykatës Speciale për dikë”, thotë ai.

Ai tutje ka shtuar se pas këtij vendimi mundësia e zgjedhjeve të reja është opsioni më i mirë

“Nuk jam i sigurt se si duhet të veprojë presidenti por mbetet të ai të vendosë. Natyrisht mundësia e zgjedhjeve të reja mbetet optimale dhe opsioni më i mirë”, ka shtuar ai.

Sejdiu thotë se nuk e ka përkrahur asnjëherë vendimin e për themelimin e një Gjykate Speciale, pasi një të tillë e quan anomali.

“Nuk e kam përkrahur kurrë Gjykatën Speciale sepse është një anomali. Fatkeqësisht është themeluar, por natyrisht si shtet që kemi marrë vendime atëherë tentativat për të anuluar këtë gjykatë kanë qenë të dëmshme për Kosovën. Arsyeja e dorëheqjes është një lajm që natyrisht nuk mund t’i gëzohet askush. Kryeministrit Haradinaj i dëshirojmë një ballafaqim të drejtë me këtë padrejtësi”, thotë ai.

Ai tutje shton se dorëheqja e kryeministri është më shumë morale.

Ai është ftuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me sa kuptova dorëheqja e tij është më shumë morale që të mos shkojë atje si kryeministër dhe po shihet qartë se në zgjedhje ka tendencë të vijë serish.