Arbëri

Reagimet pas dorëheqjes së Haradinajt, i ftuar si i dyshuar nga Specialja

Reagime të shumta ka pasur pas lajmit të papritur të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi tha që ka marrë ftesë si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë.


22:37 - Vetëvendosje përjashton çdo mundësi të qeverisë teknike, do zgjedhje

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se data e zgjedhjeve duhet të caktohet menjëherë.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk pranon të jetë pjesë e asnjë takimi për mandatarin e radhës.

Sipas saj i vetmi takim ku ata marrin pjesë, është caktimi i datës së zgjedhjeve.

“Data e zgjedhjeve duhet të caktohet sa më parë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, nuk pranon të jetë pjesë e asnjë takimi për mandatarin e radhës. I vetmi takim ku marrim pjesë është caktimi i datës së zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kosova e ka mundësinë më të mirë të kthehet për së mbari

“Një Qeveri e skandaleve dhe e korruptuar, ra”, tha ai.

Në mbrëmje edhe lideri i LVV-së Albin Kurti ka kundërshtuar idenë që vendi të bëhet me qeveri teknike, duke thënë se duhen zgjedhje sa më parë.

Ai në një prononcim para medieve ka thënë se me LDK-në, si dy partitë më të mëdha politike në vend, si opozita e këtij vendi, do të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin menjëherë në ditët në vijim.


22:17 - Ahmeti: Nuk ka arsye për qeveri teknike, zgjedhjet janë të domosdoshme

Kreu i PSD-së,Shpend Ahmeti, ka përjashtuar mundësinë për qeveri teknike.

Ai përmes një postimit në Twitter ka thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme edhe për legjitimitet edhe për ndryshim.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, ka shkruar ai.


22:05 - Qorolli: Dorëheqja e Haradinajt pretekst i mospajtimeve të thella politike

Profesori i Juridikut, Vigan Qorolli, ka shprehur bindjen se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, është pretekst i mospajtimeve të thella politike.

“Haradinaj nuk është ftuar nga Specialja për t’u arrestuar si në vitin 2004. Është ftuar për intervistim. Dorëheqja e tij është një proces i gjatë i mospajtimeve me Thaçin, Veselin dhe akterët e tjerë politikë. Preteksti është veprim shumë i zgjuar i tij politik dhe historik”, ka thënë ai.

Sipas Qorollit, zgjedhjet e reja në vjeshtë, Haradinaj do të mundohet t’i kapitalizojë si përpjekje biblike për paprekshmërinë e kufijve shtetërorë.

“Deri atëherë politika jonë do flasë me muskuj dhe jo me tru”, ka shtuar më tej Qorolli.

Në një tjetër postim, Qorolli ka thënë se ky parlament, që me gjasë do të shpërbëhet, do të mbahet mend si më i keqi në historinë e Kosovës.

“Më jofunksionali, me joetiku dhe me i pavendosuri politikisht. Ishte skajshmërisht i paaftë që t’i shtyjë gjërat edhe më minimale për të mirën e vendit. Veproi pak, foli shumë. Kosova të japë liderë të rinj dhe forca të reja politike për zgjedhjet e reja. Ta përmbyllë transzicionin e saj 20 vjeçar”, ka thënë Qorolli.


21:30 - Meta për Haradinajn: Nuk ka pabesi që e thyen heroin e kombit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nga sot, të gjithë duhet të flenë më pak e të shqetësohen e të bashkohen që paqja e siguria e Kosovës e rajonit të jenë të pacenuara.

Ai tutje ka shtuar se është krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij

“Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit!
Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane”, ka shkruar ai.


21:06 - Bushati për Haradinajn: Shembull i një shtetari

Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, ka vlerësuar se akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si kryeministër i Kosovës për t’u ballafaquar sërish me drejtësinë, është forca e shembullit të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para.

“Jam i bindur që ky veprim do të lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës dhe kontributin e pamohueshëm të Ramush Haradinajt. Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes”, ka thënë Bushati.

“Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje”, ka thënë më tej Bushati.


21:03 - Ahmeti: Haradinaj sërish do të dëshmojë luftën e drejtë të shqiptarëve

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se Ramush Haradinaj do të dëshmojë sërish luftën e drejtë të popullit shqiptar për liri.

Pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, Ahmeti e ka quajtur të padrejtë përballjen e sërishme të Haradinajt me drejtësinë.

“Po si nuk tu ndanë vështirësitë një herë or burrë!? U njohëm në vështirësi, dhe ia dolëm. Në çdo vështirësi dole ngadhnjimtar dhe jam i sigurt që do të ngadhnjesh edhe ndaj kësaj vështirësie të padrejtë të rradhës. Jam i bindur që ti më së miri edhe këtë herë do ta dëshmosh luftën e drejtë të këtij populli për liri, demokraci, pavarësi”, ka shkruar ai në Facebook.


20:58 - Zgjedhje të reja, opsioni i vetëm për LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi që të nisë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga kreu i qeverisë.

Ky është opsioni i vetëm për këtë parti. Kështu ka thënë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kryetari i saj Isa Mustafa.

Mustafa ka thënë se LDK-ja s’do të pranojë asnjë opsion tjetër.

“Ne nuk pranojmë asnjë mënyrë tjetër. Nga disa e sotme vendi është në zgjedhje. Ne kemi pritur që ta rrëzojmë vet këtë qeveri, pasi koalicioni është sjell në mënyrë të papërgjegjshme ndaj nevojave të vendit”, ka thënë Mustafa.

I pyetur për mundësinë e formimit të një qeverie teknike, Mustafa ka thënë se asnjë qeveri s’e shohin si mundësi, veç qeverisë që del nga zgjedhjet dhe e ka quajtur një akt të ulët dhe fyerje për LDK-në kërkesën për formimin e qeverisë teknike.

“Kur të hymë në zgjedhje do të vendosim edhe në lidhje me koalicionet, i kemi orientimet tona dhe do të sillemi në kuadër të atyre orientimeve”, tha Mustafa në lidhje formimin e koalicioneve të mundshme parazgjedhore.

Kjo është komunikata për media e LDK-së, pas mbledhjes së kryesisë:

Kryesia e LDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot, vlerësoi situatën pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit.

Pas dorëheqjes së kryeministrit, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendi është pa qeveri.

Në këtë situatë, LDK-ja kërkon nga Presidenti që të nisë bisedat me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

LDK-ja në vijimësi, gjatë vitit të fundit, ka përsëritur që është e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet e vendit ka kohë që janë pa legjitimitet.

Zgjedhjet e parakohshme do t’ia mundësojnë qytetarëve të Kosovës që në bazë të vullnetit të tyre të japin legjitimitetin politik për të drejtuar vendin.


20:22 - Lushtaku: Haradinaj do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Drenicës, Sami Lushtaku, thotë se ka marrë me shqetësim ftesën e Gjykatës Speciale për Ramush Haradinajn.

Duke e quajtur mik, Lushtaku deklaroi se Haradinaj do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë.

“Me shqetësim mora lajmin për ftesën që i është bërë nga Gjykata Speciale, mikut tim Ramush Haradinaj. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër dhe e tillë është dëshmuar në vazhdimësi, para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare. Ashtu si në të kaluarën, Ramushi do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë”, tha Lushtaku.


20:20 - Molliqaj thotë se Haradinaj është dashur të diskutonte me të gjitha partitë para dorëheqjes

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ftesën e Speciales për kryeministrin Ramush Haradinaj e ka quajtur të padrejtë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nuk mund të nxjerrë vendime të drejta, një gjykatë e padrejtë që u imponua nga insistimet e Serbisë.

Molliqaj thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se institucionet e Kosovës duhet ta gjykojnë çfarëdo krimi që ka ndodhur në Kosovë.

Ai thotë se është e papranueshme ftesa e speciales për Ramush Haradinajn, ashtu siç është e padrejtë vet kjo gjykatë.

Molliqaj ka thënë se Haradinaj është dashur të ftojë të gjitha partitë për diskutim para këtij vendimi.

“Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj është dashur të ftojë të gjitha partitë për diskutim para këtij vendimi. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, por rrugën për të ecur përpara duhet ta vendosim bashkë, në një diskutim gjithë-shoqëror”, ka thënë ai.


20:17 - Deda: Populli ka mundësi t’i japë drejtim Kosovës

Deputeti i pavarur, Ilir Deda, ka thënë se pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, populli shumë shpejt do ta ketë mundësinë t’i japë drejtim Kosovës.

Ai ka thënë se ndjen keqardhje për situatën në të cilën gjendet Haradinaj, pasi u dorëhoq për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

“Në rrafshin personal ndiej keqardhje për situatën në të cilën gjendet Ramush Haradinaj. Dëshiroj që përballjen e radhës ta ketë me dinjitet dhe urtësi. Politikisht, kemi dallime shumë të mëdha për qeverisjen e PAN-it. Shumë shpejtë populli do ta ketë mundësinë t’i jep drejtim Kosovës. Besoj në vendim racional të qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.


19:57 - Berisha iu bën thirrje forcave politike të Kosovës të kundërshtojnë përpjekjet për ndarje të Kosovës

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai dorëheqjen e tij e ka quajtur akt shtetar dinjitoz.

“Duke shprehur vlerësimin tim për aktin e tij prej shtetari të vërtetë shtoj këtu se kjo është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep në mënyrë dinjitoze dorëheqjen si kryeministër i Kosovës dhe hera e tretë që ai paraqitet para Gjykatës së Hagës në përgjigje të thirrjes së drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Berisha thotë se në dy rastet e mëparshme ai është gjetur i pafajshëm.

Ai thotë se Haradinaj e kundërshtoi me guxim të madh projektin e Serbisë, për çka sipas tij, fitoi mbështetjen e admirimin e qytetarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar.

“Komandant trim që luftoi me heroizëm kundër pushtuesve dhe ndihmoi dhe shpëtoi qindra familje shqiptare nga barabaritë serbe gjatë luftës, shtetar me integritet dhe kryeministër efiçent e atdhetar i flaktë, Ramush Haradinaj, kundërshtoj me guxim të madh projektin e Serbisë së Madhe te Vuçiç, Zografit Bis, Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishiqit për çka dhe fitoi admirimin, mbështetjen e madhe të qytetarëve të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar”, ka shkruar ai.

Berisha iu ka bërë thirrje forcave politike në Kosovë, qytetarëve të saj dhe mbarë kombit shqiptar të kundërshtojnë me vendosmëri të palëkundur të gjitha përpjekjet, prapaskenat për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës.

“Unë gjithashtu iu bëj thirrje forcave politike në Kosovë, qytetarëve të saj dhe mbarë kombit shqiptar të kundërshtojnë me vendosmëri të palëkundur të gjitha përpjekjet, prapaskenat për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës të projektit të Serbisë së Madhe të Vuçiç, argatëve të tij shqipfolës, albanofobe, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles Baton Stanishiqit që festojnë sonte dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hagës mbasi kishin tek ai një dige të pakapërcyeshme”, ka shkruar tutje Berisha.


19:03 - Veseli pas dorëheqjes së Haradinajt: Do të ndërmarrim hapa në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se, me keqardhje ka mësuar nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të tij, si dhe për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai thotë se, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë, dhe se është i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.

Ndërkaq duke folur për bashkëqeverisjen në koalicionin PAN, Veseli ka thënë se, koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t'i mbrojtur vlerat e UÇK-së.

“Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”,tha ai.


18:43 - Limaj: Kosova e themeloi vet Specialen, alternativa e vetme është përballja me fakte kundër armiqve

I pari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, e ka quajtur të padrejtë ftesën e Gjykatës Speciale për kryeministrin e Ramush Haradinaj.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se, kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj sipas tij, alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj është një ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës’, thotë ai.

Limaj shton se, Kosova do ta kaloje me sukses edhe këtë sfide dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast.


18:32 - Hoxhaj për Haradinajn: Pas kthimit të Veselit nga SHBA-ja do t’i diskutojmë hapat e ardhshëm

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai shtoi se lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe askush nuk mund ta cenojë pastërtinë e saj.

“Me keqardhje e kam marrë lajmin e dorëheqjes së papritur të Kryeministrit Ramush Haradinaj. Lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe asnjë gjykatë nuk mund ta cenojë pastërtinë e saj.”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri tregoi edhe për hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë PDK.

“Ky është një zhvillim serioz për vendin. Pas kthimit nesër nga SHBA-të të kryetarit Kadri Veseli, si PDK do t’i diskutojmë hapat e ardhshëm, të cilat do t’i ndërmarrim në pajtim me interesat madhore dhe të ardhmen e Kosovës”, përfundoi Hoxhaj.


18:18 - Nitaj: Nuk është hera e parë që Haradinaj po paguan çmim të lartë për Kosovën

Deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se nuk është hera e parë që kryeministri po paguan çmim të lartë për Kosovën.

Ai duke komentuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, pas ftesës nga Gjykata Speciale, Nitaj ka thënë është hera e dytë që ai po heq dorë nga pozita e kryeministrit për ta plotësuar detyrimin e drejtësisë ndërkombëtare, e që ai thotë se asnjëherë nuk e kuptuan.

“Është e sata herë që Ramush Haradinaj paguan çmim të lartë për vendin e tij. Është e dyta herë që ai heq dorë nga pozita e kryeministrit për të plotësuar atë detyrimin e drejtësisë ndërkombëtare, që ne kurrë nuk e kemi kuptuar”, ka thënë ai.

Nitaj thotë se sot është vështirë të mos rreshtohesh pas Ramush Haradinajt.


18:03 - Basha: Dorëheqja e Haradinajt është akti i një njeriu që vë atdheun mbi gjithçka

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Basha deklaroi se dorëheqja e Haradinajt është akti i një njeriu që vë atdheun mbi gjithçka.

“Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që vë Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova – Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova evropiane”, kështu vlerësoi Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se askush dhe asgjë nuk e përdhos luftën çlirimtare të Kosovës.

“Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë”, përfundoi Basha.

Haradinaj dha dorëheqje si kryeministër i Kosovës pasi është ftuar nga Gjykata Speciale.


17:52 - Mustafa: Ne kërkuam dorëheqjen e Qeverisë por na vjen keq që po ndodhë për shkak të Speciales

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj i cili gjatë ditës njoftoi se po dorëhiqet pasi u ftua nga Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se LDK në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por thotë se kjo ndjenë keqardhje që kjo po ndodhë për shkak të Dhomave të Specializuara.

LDK në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës.

Ai tutje ka shtuar se beson fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu beson se pafajësia e Haradinajt do të provohet edhe kësaj radhe.


17:44 - Thaçi reagon pas ftesës nga Specialja për Ramush Haradinajn e Bislim Zyrapin

Duke e përmendur pas Bislim Zyrapit, për të cilin mësohet se po ashtu është ftuar nga Specialja, kreu i shtetit Hashim Thaçi ka reaguar për ftesën dhe dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së”, ka thënë Thaçi.

Ai ka treguar se ka mësuar nga mediat edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka thënë Thaçi.


17:37 - Ahmeti: Dorëheqja e Haradinajt befasi, na mbetet të shohim rrugën përpara

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, ka kuptuar për lajmin për dorëheqjen e Ramush Haradinajt si kryeministër, teksa po jepte intervistë për emisionin “038” në KTV.

Ai ka thënë se është befasuar me këtë lajm, ndërsa ka shtuar se tash u mbetet partive të mendojnë për veprimet e ardhshme.

“Ka qenë befasi. Jam takuar dje me kryeministrin shkurt dhe s’ka pas paralajmërim. Arsyetimi siç duket ishte ftesa në Hagë. Siç duket ftesa i dha sot dhe dha dorëheqje. Na mbetet neve të diskutojmë brenda partive për veprimet e ardhshme”, ka thënë ai.


17:34 - Majko: Haradinaj i bëri nder Kosovës, u largua si burrë shteti

Ish-kryeministëri i Shqipërisë dhe ministër i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka shkruar se Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti.

Sipas tij, ai kreu një akt që i bën nder Kosovës, shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare.

“Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij. Sot jam me Ramushin! Të falënderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, thotë ai.


17:27 - OVL e UÇK-së në Dukagjin: Ftesa për Haradinajn e motivuar politikisht

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale për Ramush Haradinajn.

Këtë ftesë ata e kanë quajtur të motivuar politikisht.

Kjo organizatë thotë se asnjë akuzë e bërë ndaj tij, prej gjykatave ndërkombëtare, nuk është argumentuar dhe i njëjti ka dal faqebardhë, duke dëshmuar pastërtinë e Luftës Çlirimtare.

“Ne e çmojmë veprimin e Haradinajt për të ofruar dorëheqjen dhe konsiderojmë se është hap burrëror, i njeriut i cili na bëri të ndjehemi krenar në shtetin tonë, gjatë kësaj kohe sa udhëhoqi me qeverinë. Ne i bëjmë thirrje spektrit politik të vendit, të qëndrojë bashkë dhe të marrë shembullin e Haradinajt, të jenë të vendosur e jo të bëjnë pazare në kurriz të territoreve dhe qytetarëve. OVL UÇK Dukagjin, do të jetë në përkrahje të pafajësisë së Gjeneralit Haradinaj dhe të gatshëm për çfarë do situate që paraqitet. Në këto momente të vështira për Kosovën, të tregojmë pjekurinë tonë dhe të vendosim interesat kombëtare mbi të gjitha të tjerat”, thuhet në reagim.


17:24 - Veliut i vjen keq që Haradinaj u ftua nga Gjykata Speciale

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, pasi ka marrë ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar.

Ai shkurt për KosovaPress tha se i vjen keq që ka ardhur një ftesë e tillë.

“Veç sa e pash në media, nuk kam kurrfarë komenti. Më vjen keq që ka një ardhë ftesë e tillë, po këto janë procese që Kosova i ka formuar”, tha Veliu.


17:18 - Sejdiu: Dorëheqja e Haradinajt e befasishme, zgjedhjet e reja opsioni më i mirë

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, lajmin për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj e ka quajtur të befasishëm.

Ai tutje për KTV-në ka thënë se arsyeja e dorëheqjes që është dhënë nga kryeministri, është serioze.

“Nuk besoj që ka shqiptar që i gëzohet ftesës së Gjykatës Speciale për dikë”, thotë ai.

Ai tutje ka shtuar se pas këtij vendimi mundësia e zgjedhjeve të reja është opsioni më i mirë

“Nuk jam i sigurt se si duhet të veprojë presidenti por mbetet të ai të vendosë. Natyrisht mundësia e zgjedhjeve të reja mbetet optimale dhe opsioni më i mirë”, ka shtuar ai.

Sejdiu thotë se nuk e ka përkrahur asnjëherë vendimin e për themelimin e një Gjykate Speciale, pasi një të tillë e quan anomali.

“Nuk e kam përkrahur kurrë gjykatën Speciale sepse është një anomali. Fatkeqësisht është themelu por natyrisht si shtet që kemi marrë vendime atëherë tentativat për të anuluar këtë gjykatë kanë qenë të dëmshme për Kosovën. Arsyeja e dorëheqjes është një lajm që natyrisht nuk mund t’i gëzohet askush. Kryeministrit Haradinaj i dëshirojmë një ballafaqim të drejtë me këtë padrejtësi”, thotë ai.

Ai tutje shton se dorëheqja e kryeministri është më shumë morale.

Ai është ftuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me sa kuptova dorëheqja e tij është më shumë morale që të mos shkojë atje si kryeministër dhe po shihet qartë se në zgjedhje ka tendencë të vijë serish.


17:18 - Kurti: Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar

Për kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit është e vonuar, por me arsye të gabuar

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje "Ahtisaari Plus" me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.

Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro...

Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë.

Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare.

Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën.


17:05 - Koci: Haradinaj është hero

Avokati Arianit Koci, i cili ishte avokat i Ramush Haradinajt në kohën kur ky i fundit ishte ndaluar në Francë, ka thënë se Haradinaj është hero.

“Gjithmonë, gjatë historisë njerëzore, ka pasur individë që e kanë bartur barrën e krejt popullit të vet. I quajmë heronj.

I tillë është Ramushi”, ka thënë Koci.

“Po e ruan dinjitetin tokës dhe popullit të vet. Rëndë për të, rëndë për familjen e tij, rëndë për të gjithë neve. Sidoqoftë, edhe këtë betejë do ta fitojë. Sigurt!”, ka shtuar më tej.


17:01 - Haziri: Ftesa për Haradinajn, e papritur

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për KTV-në pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, i ftuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Haziri ka thënë se është e natyrshme që ka qenë e papritur ftesa për Haradinajn.

“Është rast i natyrshëm që nuk është pritur që ai të jetë i ftuar”, ka thënë Haziri, duke shtuar se edhe në herën e parë edhe të dytën ai ka dëshmuar pastërtinë e luftës.

“Nuk është pritur që ata që janë ballafaquar njëherë me drejtësinë që të jenë të ftuar. Kjo tregon që askush nuk është i përjashtuar nga ftesa e mundshme”, ka thënë Haziri, derisa nuk ka dashur që të lëshohet në emra konkretë.

“Zoti Haradinaj ka dhënë sërish një precedan që është tërhequr dhe ka lënë postin e kryeministrit. Ka qenë veprim në respekt të vendit të vet, duke e distancuar rolin e tij si kryeministër në atë si i dyshuar”, ka thënë ai.

Duke folur për situatën politike të shkaktuar nga ky rast, Haziri ka thënë se “situata dhe kërkesat e opozitës kanë qenë përtej këtij rasti, ka qenë kërkesë që vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Por ky është momentum i ri që është krijuar, tregon qartë që vendi është para një situate të jashtëzakonshme politike, me mundësi të madhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Haziri.


17:01 - Berisha thotë se ftesa nga Specialja për Haradinajn është tallje me Kosovën

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se ftesa nga Gjykata Speciale për kryeministrin Ramush Haradinaj është tallje me shtetin e Kosovës.

Ai ka pyetur “se sa herë duhet me dëshmu Ramushi se është i pafajshëm dhe lufta UÇK- së ka qenë e drejtë!?”

“Kjo është shantazh ndaj shtetit!!! Ju që keni votuar Gj.Speciale a po bindeni se keni luajtur lojën e djallit? Mbaju Ramush, Kosova është me ju edhe në këtë rast”, ka shkruar ai.


16:53 - Selmanaj: Ftesa e Speciales për Haradinajn e padrejtë

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, lajmin për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka quajtur shokues dhe të padrejtë.

Ai tutje ka shtuar se Haradinaj ka paguar çmim gjithmonë dhe sipas tij po e paguan përsëri.

“Një lajm i papritur, edhe shokues. Me thënë të vërtetën jemi të shokuar nga ky lajm. Personalisht as që e kam menduar që Haradinaj mund të ftohet nga gjykata special por ja që është tepër e çuditshme dhe tepër e papritur”, ka thënë ai për KTV-në.

Ai ka thënë se AAK-ja do t’i mbajë mbledhjet partiake dhe do të shohin se cili do të jetë qëndrimi i kryetarit me këto zhvillime.

Selmanaj ka thënë se kjo është emocionale, shokuese dhe e padrejtë.

“Nuk kam koment absolut, jemi duke i vajtuar pasojat e një gjykate të padrejtë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se qëndrimet e Hardinajt kanë qenë në shërbim të vendit por që pranon se jo të gjithëve iu kanë pëlqyer këto qëndrime, duke shtuar se mund të mos jenë pëlqyer as nga ndërkombëtarët.

“Ramush Haradinaj ka paguar çmim gjithmonë dhe si duket po e paguan përsëri”, ka shtuar ai.


16:49 - Çitaku për Haradinajn: Kjo nuk është drejtësi

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në New York, e ka cilësuar këtë padrejtësi.

“Kjo nuk është drejtësi.#RamushHaradinaj”, ka thënë ajo.