VV-ja në mbështetje të marshit “Kundër Vrasjeve institucionale” në Fushë-Kosovë Foto: Koha

VV-ja në mbështetje të marshit “Kundër Vrasjeve institucionale” në Fushë-Kosovë

19 July 2019 15:03

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur marshin protestues në Fushë-Kosovë pas vrasjes së 12 vjeçarit.

Prokuroria dhe Policia, thonë në reagimin e tyre, në një shtet të së drejtës do të duhej të ishin institucione që përkujdesen dhe mbrojnë qytetarët e Republikës pa dallim përkatësie e statusi shoqëror, dhe jo të jenë të neglizhentë, e në të shumtën e rasteve selektivë, duke mos vepruar as kur paraqiten rastet e dhunimit e kërcënimit me jetë.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje përmes Kuvendit të Kosovës, thonë se janë duke hulumtuar në detaje për rastin e përdhunimit dhe vrasjes së të riut nga Fushë-Kosova.

“Ajo çka jemi të bindur deri tani është se pas procedimit të rastit nga Policia, Prokuroria e ka neglizhuar në tërësi rastin në fjalë, dhe ajo është përgjegjësja kryesore për këtë rast. Përdhunimi i 12 vjeçarit për të disatën herë, paraqitja e rastit, dhe më pas vrasja e tij, janë tregues që në Kosovë nuk funksionon shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione që kujdesen për qytetarët e këtij vendi; janë tregues që nëse dikush kërcënohet atëherë më mirë të shohë për alternativa të tjera sesa të presë mbrojtje nga institucionet. Kjo është e papranueshme”, thuhet në reagim.

Reagimi institucional ndaj rasteve të paraqitura në vendin tonë, thotë VV-ja, po merr trajtat e një fenomeni këmbëngulës e shqetësues.

“Vitin e kaluar kishim rastin e një të riu rom, 18 vjeçar, që u dënua me 7 vite burg, për 450 euro që thuhet se i kishte vjedhur nga një bankë; këtë vit patëm rastin e një gruaje rome që u sulmua më shumë se dy herë dhe së fundi këtë vrasje makabre të një 12 vjeçari rom për të cilin rast kaluan dy ditë, e

deri kur filloi çështja të bëhet më publike nuk pati asnjë reagim. Këto institucione që për rol kushtetues kanë të mbrojnë jetën e qytetarit të Republikës, po vazhdojnë ta dallojnë rolin e tyre: nëse rasti i paraqitur ka të bëjë me një grua, me një fëmijë, e aq më tepër me një rom atëherë shpesh nuk veprohet, madje as kur në rrezik është jeta. Kjo qasje nuk mund të vazhdojë tutje. Institucionet duhet të japin llogari për këto jetë të humbura, për dhunën e përsëritur, dhe për qasjen selektive e diskriminuese në vënien e rendit dhe drejtësisë”, thuhet në reagim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme