Dje në moshën 83 vjeçare, ka vdekur kirurgu i njohur kosovar, profesori Gazmend Shaqiri.
Me rastin e vdekjes së tij, familjen Shaqiri e ka ngushëlluar edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili, ndarjen nga jeta të profesorit e ka quajtur lajm pikëllues.
Dema, në telegram thotë se Shaqiri ishte njëri ndër personalitetet më eminente të fushës së arsimit të lartë dhe shëndetësisë në vendin tonë.
“Më anë të këtij telegrami, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, t’jua përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj. Profesor Shaqiri u shqua për kontribut të çmueshëm në Universitetin e Prishtinës, duke u bërë pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, që nga themelimi i tij, në vitin 1969. Rrugëtimin në UP, prof. dr. Gazmend Shaqiri e filloi si ligjërues, pastaj shërbeu edhe si prodekan e dekan i këtij institucioni. Prof. Shaqiri, në historinë e vendit tonë, shquhet edhe si themelues i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare”, ka thënë Dema.
Me ndarjen e tij nga jeta, Dema tha se arsimi dhe shëndetësia humbën një nga kontribuuesit e tij më të mëdhenj.