Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është paraqitur këtë të premte para Komisionit për Integrim.
Hoxha, në këtë komision, sqaroi dhe arsyetoi marrëveshjen me kompaninë ‘’Madison Global’’, duke thënë se lobimi dhe këshillimi ndërkombëtar është praktikë e njohur dhe tërësisht legjitime, raporton KTV.
Ministrja Hoxha tha se marrëveshja është kundërpërgjigje për lobimin që po bën Serbia kundër Kosovës.
Ajo tha e kontrata me kompaninë amerikane është tërësisht publike.
Ministrja raporti edhe për fondet IPA-së që kapin shifrën e 95 milionë euro, ku 90.5 milionë euro financohen nga Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër është investim nga Kosova.
Ajo tha se këto para do të investohen në disa sektorë dhe se përmes tenderimit që do të shpallet nga zyra e BE-së, do të ketë reforma në sektorin e drejtësisë, sektorin e energjisë, mjedisit, si dhe në fushën e arsimit.
Hoxha foli edhe për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë, duke thënë se mjetet për këtë sallë janë ndarë për vitin e ardhshëm dhe se nuk kanë humbur.
Ministrja Hoxha tha se kjo sallë do të ndërtohet, por se i duhet edhe angazhimi i kryetarit të Prishtinës, për gjetjen e një lokacioni të duhur për ndërtimin e saj.
Hoxha, gjithashtu, bëri të ditur fillimin e fushatës për lobimin dhe liberalizimin e vizave, duke theksuar se nuk mund të jepen afate të sakta për këtë drejtim.