Arbëri

Sejdiu: Nëse Konjufca mund ta rrëzojë Qeverinë me Listën Serbe, nuk i duhet PSD-ja

Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, i është kundërpërgjigjur ish-bashkpartiakut të tij, Glauk Konjufca, për mocionin e mosbesimit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nëse Konjufca mund ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj me votat e Listës Serbe, nuk ka nevojë për PSD-në.

Sejdiu ka deklaruar se, Glauk Konjufca po vazhdon ta manipulojë opinionin publik duke thënë se Isa Mustafa ishte rrëzuar nga pushteti me votat e Listës Serbe, por sipas tij, Konjufca nuk e saktëson se asokohe, votat e Listës Serbe nuk ishin përcaktuese për rrëzimin e tij. Ai thotë se ishin kalkulimet e partnerit të koalicionit ato që ia dhanë fundin.

“Mbase është e drejtë e Lëvizjes “Vetëvendosje!” të kërkojë rrëzim të Qeverisë Haradinaj përmes votave PËRCAKTUESE të Listës Serbe, e cila përfaqëson agjendën e Beogradit në Kosovë. Që sot, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbledhë votat dhe nënshkrimet e deputetëve të saj”, shkruan ai.

Sejdiu e quan shqetësuese denigrimin e PSD-së në këtë proces nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai thotë se PSD-ja akuzohet për oportunizëm dhe tradhti opozitare ndërsa veçanërisht, refuzimi i saj për t’i pranuar votat e Listës Serbe shihet vetëm si arsyetim, e assesi arsye.

“Për më tepër, deklarimet e Konjufcës bien ndesh me qëndrimet e përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje – por edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës – rreth llogaritjes në votat e Listës Serbe. Numër i konsiderueshëm i tyre (Rexhep Selimi, Sami Kurteshi, Lutfi Haziri, etj) kanë përsëritur disa herë publikisht refuzimin e tyre për ta pranuar votën serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj”, shkruan ai.

Sejdiu thotë se Partia Socidaldemokrate nuk e mbështet qëndrimin se përfaqësuesit e politikës qeveritare të Serbisë duhet ta përcaktojnë kohën dhe mënyrën e rrëzimit të qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Për diçka të tillë PSD nuk jep vota në Kuvendin e Republikës. As sot, as nesër”, shkruan ai.

Ai ndër të tjera thotë se Partia Socialdemokrate do t’i bashkohet Glauk Konjufcës kur ai t’i sjellë nënshkrimet e së paku 49 deputetëve që nuk janë nga Lista Serbe.

“Kur të arrihet kjo, do të jetë e parëndësishme nëse Lista Serbe do të votojë ose jo rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Deklarimet si ky i Konjufcës janë përpjekje që PSD-së t’i mveshet faji për mungesën e vullnetit dhe mençurisë në Lëvizjen Vetëvendosje në strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Për më tepër, qëndrimet e këtilla vetëm sa e vështirësojnë tutje çfarëdo bashkëpunimi të efektshëm opozitar në proces”, thotë ai.