Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur i shqetësuar me ndarjen e mjeteve për Kosovën A dhe B, të cilat ishin të dedikuara për sallën e koncerteve.
Sipas tij, fondet nuk është dashtë të ridestinohen, sepse salla e koncerteve do t’i shërbente shumë Filarmonisë së Kosovë dhe veprimtarisë kulturore-muzikore.
“Digjni thëngjill, e jo fonde të dedikuara për sallën e koncerteve!”, e ka titulluar ai reagimin e tij.
“Shumë fonde u djegën në emër të Kosovës A dhe B dhe u shndërruan në tym të zi, ndërsa do të jetë i bardhë për shkak të filtrave ‘shumë herë’ të ndërruar. Andaj, duhet hetuar se si janë shpenzuar këto fonde, a janë të dedikuara për filtrat e ‘arit’ të termocentraleve, apo ka ndonjë keqpërdorim?!”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë se “gjithsesi, duhet bërë një verifikim fizik i këtyre filtrave për të parë nëse janë ndërruar me të vërtet këta filtra ndonjëherë dhe si është gjendja e tyre, sepse tymi i zi nuk po ndalet”.
“I bëj thirrje të gjitha partive, që sa më shpejt të ngrisim një komision hetimor parlamentar, duke përfshirë edhe një prokuror special (vëzhgues) pa të drejt fjale, por të jetë vetëm pjesëmarrës gjatë diskutimeve, si dhe të verifikohen mjetet e shpenzuara në këtë dikaster”, ka thënë Zemaj.