Buxhovi fajëson ndërkombëtarët që lejuan “çlirimtarët ta kapin shtetin”

Buxhovi: VV nuk mund të kërkojë luftim të korrupsionit në shtet pa e luftuar brenda partisë

11 July 2019 20:18
21:29

Shkrimtari, Jusuf Buxhovi ka thënë se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka struktura të krimit të organizuar.

Ai thotë se fuqinë faktike brenda VV-së nuk e ka lideri i saj Albin Kurti, por faktorë të tjerë brenda partisë.

“Brenda partisë ka njerëz të krimit të organizuar. Vetëvendosje ka për detyrë që njerëzit e feudeve t’i largojë. VV ka më shumë militantë se sa disa të tjerë që janë brenda PDK-së”, ka thënë ai.

Buxhovi tutje ka shtuar se Vetëvendosje nuk mund të kërkoj luftimin e korrupsionit në shtet derisa të luftoj atë brenda partisë.

“Unë kam qenë i bindur se VV-ja do të përballojë disa elemente por nuk i kanë përballuar. Të rinjtë i kanë besuar shumë Lëvizjes njëjtë sikur ka fanatikë edhe në LDK”, ka thënë ai.

Ndërkaq, duke folur për idenë e presidentit Hashim Thaçi për lëvizjen e kufijve, Buxhovi tha se një ide e tillë i ka bërë shumë dëm Kosovës tek partneret gjeostrategjik.

A thotë se Serbia e shfrytëzoi këtë si mundësi për ta kthyer Kosovën në pikën zero.

“Beogradi ka synim që Kosovën ta mbaj në gjendje të mjegulluar”, ka thënë ai.

Ai thotë se Hashim Thaçi e ka hapur çështjen e kufijve për hesape të veta, por sipas tij, problemi i madh qëndron edhe tek skena politike.

“Unë nuk mendoj që Haradinaj do ta hante këtë pazar sepse ai e dinë se amerikanët nuk e pranojnë. Është pozitive që ai iu kundërvu presidentit Thaçit”, ka shtuar ai.

21:19

Buxhovi: Nga 2006 LDK-ja marionetë e PDK-së

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në Rubikon të KTV-së ka deklaruar se LDK-ja është marionetë e PDK-së që nga viti 2006.

Ai nuk pret që të ketë zgjedhje, megjithatë për të është shqetësuese se nuk ka alternativë për qeverisje të mirëfilltë.

“Mendoj se nuk do të kemi zgjedhje, por është edhe një problem tjetër që më bën skeptikë. Nuk kemi opozitë, nuk kemi alternativë për këtë qeverisje që i ka bërë kaq keq Kosovës dhe që vendin e solli në prag të një bankroti", ka thënë Buxhovi.

Ai tutje ka thënë se PDK-ja ka arritur qëllimin për të kthyer partitë e tjera në marionetë të saj, në veçanti LDK-në.

“Unë lidhem prapë më ato çfarë kanë ndodhur nga viti 1999 - 2000 e tutje. Implikimi i strukturave të rëndësishme të SHIK-ut nëpërmjet PDK-së edhe faktorëve tjerë te këto parti dhe arritja e qëllimit që këto parti të kthehen në marionetë të PDK-së. LDK-ja faktikisht prej 2006 është në njëfarë forme patericë apo marionetë e PDK-së", ka thënë Buxhovi, duke cekur feudin e Llapit, Gjilanit e Dukagjinit. "Ajo ka tre feude të cilat janë të lidhura me strukturat kryesore kriminale brenda PDK-së dhe ata vendosin sot".

Tutje ai ka shtuar se, “LDK-ja është e kapur. Unë mendoj që është problem i madh brenda LDK-së”.

Buxhovi thotë se e vetmja zgjidhje brenda skenës politike do të ishte që faktori ndërkombëtar të luftojë kundër strukturave kriminale dhe të krijohet edhe në LDK edhe në Vetëvendosje një konsensus i brendshëm partiak ku do të krijohen këshillat kombëtare të cilat me referendume të përgjithshme të sjellin një qeverisje tjetër.

“Vetëm kështu mund të kishim një opozitë më e mirë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Gjykata Speciale mund të sjellë qartësi.

Buxhovi thotë se shoqëria është kontaminuar me krim dhe njerëzit që e kanë sjellë Kosovën në këtë pikë duhet të vendosën para drejtësisë.

Sipas tij, strukturat kriminale në Kosovë janë të mbrojtura dhe janë në pushtet.

“Unë mendoj që të gjithë e dinë se këta udhëheqës e mbajnë përgjegjësinë kryesore”, ka thënë ai.

21:04

Buxhovi: SHIK-u ishte strukturë paramilitare, jo legjitime

Historiani Jusuf Buxhovi në Rubikon të KTV-së ka deklaruar se faktori ndërkombëtar ka përkrahur struktura të caktuara të krahut të luftës që në radhët e veta ka pasur paramilitarë.

“Faktori ndërkombëtar në mënyrë decidive ka përkrahur struktura të caktuara të krahut të luftës, ku ka pasur paramilitarë, e pushtetin e kanë marrë në një formë me metoda puçiste”, u shpreh ai.

Buxhovi thotë se SHIK-u ishte paramilitar dhe ishte jolegjitime.

“Edhe UNMIK-u që ka pasur për detyrë të mbikëqyrë këto struktura i ka toleruar ato. E jo rastësisht në atë kohë është themeluar edhe SHIK-u. Ajo është strukturë paramilitare e cila nuk ka guxuar që të ekzistojë. Ajo është shuar në vitin 2008, në kohën edhe kur është shpallur Pavarësia. Një strukturë e tillë ka qenë jolegjitime dhe s’mund të trajtohet ndryshe”, tha Buxhovi.

20:46

Buxhovi i quan despotike partitë e krahut të luftës

Buxhovi ka folur edhe për tri partitë e krahut të luftës, PDK-në, AAK-në dhe Nismën, të cilat i ka quajtur despotike.

“Bota për herë të parë ka parë pamje tmerruese në raport me ata të cilëve u ka ndihmuar të çlirohen prej dhunës, prej një terrori çfarë ishte ai i Serbisë. E për herë të parë po ata që ishin përfituesit kryesorë, që ishin disa pjesëmarrës të luftës, edhe strukturat e shtetit paralel filluan një luftë për pushtet me metoda shumë të papastra dhe kjo e solli Haradinajn në pushtet”, u shpreh Buxhovi.

Ai thotë se këto parti s’do ta lëshojnë pushtetin shpejtë.

“E kjo solli në pushtet një triumvirat, sido që të quhet ky, platforma e këtyre njerëzve është despotike. Ky është një trekëndësh që vjen nga tri partitë despotike. Dyshoj se këto parti kanë me e lëshuar pushtetin shpejtë, pasi secila që e lëshon pushtetin bie edhe piramida e tyre”, u shpreh ai.

20:27

Buxhovi thotë se ndërkombëtarët s’duhej t’i pranonin Qeverinë e Përkohshme dhe atë të Bukoshit

Sipas shkrimtarit Jusuf Buxhovi, faktori ndërkombëtar në bazë të Rezolutës 1244, nuk është dashur ta pranojnë as Qeverinë e Përkohshme dhe atë të Bukoshit.

“Është dashur në një farë forme të përfundojnë menjëherë”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

20:18

Buxhovi fajëson ndërkombëtarët që lejuan “çlirimtarët ta kapin shtetin”

Për shkrimtarin Jusuf Buxhovi, ka akuzuar faktorin ndërkombëtar që siç ka thënë ka lejuar çlirimtarët të kapin shtetin.

"Në Kosovë ka ndodh një fenomen shumë interesant sepse faktori ndërkombëtarë është kujdes që Rezoluta 1244 të sjellë një infrastrukturë demokratike në një shtet të lirë ku çlirimi të kthehet në liri dhe çlirimi të kapet nga çlirimtarët dhe për këtë fajin më të madh e kanë faktori ndërkombëtar”, ka thënë ai, në Rubikon të KTV-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme