Arbëri

Dualizmat në qeverisjen e veriorëve

Foto: Koha

Sistem hibrid institucional është betonuar në katër komunat veriore, të cilat popullohen me shumicë serbe. Komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok paraqesin bastionet e fundit të Serbisë brenda Kosovës.

Rezistenca e kryetarëve, të cilët prej vitit 2013 zgjidhen sipas ligjeve të Kosovës, por i raportojnë Beogradit, po e mban peng integrimin e plotë të organeve lokale. Vetëqeverisja lokale vazhdon të funksionojë me ligje të Serbisë, ligje të Kosovës, e herë pas here edhe me rregullore të UNMIK-ut. Dualizmat në qeverisje kanë bërë që funksionalizimi i organeve lokale të shoqërohet me shumë ngecje, paqartësi e mungesë transparence.

Derisa për veriorët nyja e zgjidhjes së problemeve është themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, në jug ka shqetësime nga rreziku i krijimit të një pushteti të mesëm, i cili do ta sfidonte rendin kushtetues.

Pengesat politike

I nisur në vitin 2013, procesi i transformimit të pushteteve lokale nuk është finalizuar ende. Janë miratuar statutet e reja, të cilat i definojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale, por nuk ka ndodhur bartja e administratave lokale nga sistemi serb në atë të Kosovës, as nuk janë formuar drejtoritë komunale. Kjo ka bërë që në secilën komunë të ekzistojnë nga dy administrata. Njëra që punon me sistem të Serbisë dhe udhëhiqet nga kryetari i organit të përkohshëm, kurse tjetra që punon me ligje të Kosovës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pati hartuar një plan integrues për komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin- Potok. Për qëllim të hulumtimit, kjo ministri ka vënë në dispozicion listën e objektivave që është dashur t’i realizonin veriorët. Në shumicën prej komunave progresi është i ulët.

Arsyet e ngecjeve, sipas ministrisë, janë politike.

“Mosgatishmëria e kryetarëve të komunave për funksionalizimin e administratës komunale nuk mund të arsyetohet, marrë parasysh se nuk ka pengesa në aspektin administrativ apo buxhetor. Do të thotë nuk ka ndonjë pengesë, kështu që kryetarët do të duhej që prioritet ta kishin funksionalizimin e administratës komunale”, kanë thënë në MAPL.

“Komunat Veriore vazhdojnë të përballen me vështirësi në funksionalizimin e administratës komunale, edhe pse me statut të komunës janë themeluar drejtoritë komunale në të katër komunat. Sfida me të cilën po përballet MAPL me komunat veriore është funksionalizimi i administratës komunale”.

Komunat veriore nuk i kanë dhënë zgjidhje as çështjes së simboleve-stemës dhe vulave komunale. Gjashtë vjet pas, komunikimin me Prishtinën zyrtare veriorët e realizojnë nëpërmjet shkresave që nuk përmbajnë simbolin e as denominim “Republika e Kosovës”. Si zgjidhje kalimtare ishte arritur marrëveshja që komunat e veriut të përdornin vulat e UNMIK-ut. Ato janë në funksion ende.

Në Mitrovicën e Veriut janë formuar shtatë drejtori, të cilat kryejnë shërbime administrative, ndërkohë që me Statut janë paraparë 16 të tilla.

Komuna e Leposaviqit ka themeluar 13 drejtori dhe Zyrën e Prokurimit.

Komuna e Zveçanit dhe ajo e Zubin-Potokut ende nuk i kanë formuar drejtoritë.

Në mungesë të tyre, punët ekzekutive dhe projektet zhvillimore i realizojnë kryetarët, nënkryetarët, zyrtarët financiarë dhe zyrtarët e prokurimit publik. Kryetarët nuk i kanë nxjerrë as aktet për caktimin e numrit të zyrtarëve dhe përshkrimit të detyrave të punës.

Përjashtim bën Zyra Administrative, e cila kryen funksionin ekzekutiv në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Kjo zyrë është e vetmja që ka administratë komunale e cila funksionon sipas legjislacionit kosovar. Ajo është themeluar në vitin 2012, mbështetur në Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Sipas vendimit të Qeverisë të datës 23 maj 2012, zyra do të ekzistojë deri në themelimin e Komunë së Mitrovicës Veriore, “ose derisa të vendoset ndryshe nga Qeveria”. Prej atëherë zyra vazhdon të ekzistojë, ngase ka munguar një vendim tjetër.

Mursel Ahmeti është drejtor i administratës në këtë zyrë dhe ka qenë pjesë e grupit përgatitor për themelimin e saj. Me gjithë vështirësitë, ai thotë se zyra është duke përmbushur detyrat e veta.

“Administrata është funksionale dhe po i kryen objektivat brenda mandatit që ka. Kemi komunikim të mirë me qytetarët sa u përket projekteve që implementohen”, ka thënë Ahmeti. Por problem mbetet ndërhyrja politike e Serbisë dhe rritja e kriminalitetit ekonomik.

“Mendimi im është se po të mos ishte ndërhyrja politike e Serbisë, situata do të ndryshonte shumë shpejt për të mirë. Tash është i theksuar kriminaliteti ekomomik. Duan që t’i marrin të gjithë tenderët, ka edhe shumë biznese të regjistruara prej ish-grupeve ilegale”, thotë ai.

Megjithatë, sipas Ahmetit, hapësirën për manipulim e ka ngushtuar Platforma e Prokurimit Elektronik.

Në Zyrën administrative punojnë 75 zyrtarë. Prej tyre 10 janë shqiptarë, 54 serbë, 7 boshnjakë, 3 turq dhe 1 goran. Ahmeti ka folur për sfidat me të cilat është ballafaquar stafi i zyrës multietnike.

fillim ka pasur probleme sa i përket qarkullimit të zyrtarëve. Shans nuk ka pasur të kalohet prej veriut në jug pa i fyer rrugës punonjësit serbë, duke iu thënë ‘po shkoni të punoni në komunë të shqiptarëve’. Por vitet e fundit kjo është tejkaluar”, thotë Ahmeti.

Në kuadër të kësaj zyre administrative janë themeluar Drejtoria për Administratë; Drejtoria për Buxhet, Financa Zhvillim; Drejtoria për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport; Drejtoria për Shëndetësi dhe Çështje Sociale; Drejtoria e Shërbimeve Publike; Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër; Drejtoria për Komunitete dhe Informim. Pesë prej tyre udhëhiqen nga drejtorë serbë, dy të tjera udhëhiqen nga drejtorë boshnjakë dhe shqiptarë. Komuna e Mitrovicës së Veriut shtrihet në një territor prej gjithsej pesë kilometrash katrorë, ku përveç qendrës së qytetit përfshin edhe fshatrat Suhodoll i Epërm dhe Suhodolli i Poshtëm.

Komunat si “monedhë kusuri”

Moskompletimi i administratave komunale nuk është diçka e pazakontë për Marko Jakshiqin, i cili ka shërbyer si këshilltar komunal në Mitrovicën e Veriut. Ai përfaqëson subjektin opozitar iniciativa qytetare - “SDP Oliver Ivanoviq”. Ai ka folur për problemet me të cilat ballafaqohet kjo komunë, duke nisur nga ato operative.

“Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas sistemit të Kosovës, ka ekzistuar që nga viti 2014 dhe ende nuk e ka ndërtesën e vet. Për shembull, seancat e Kuvendit zhvillohen në ish-objektin ushtarak të rinovuar. Përveç këtyre problemeve teknike, sfida kryesore është fakti se komunat në veri janë shndërruar në monedhë kusuri midis Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Jakshiq.

“Asnjëra nuk dëshiron të ketë komuna të forta dhe funksionale në veri, pasi kjo mund të sjellë situatën që në një moment të dalë nga kontrolli dhe të shndërrohen në problem, sidomos vjen puna tek procesi i bashkëpunimit të mirë fqinjësor”.

Organi i vetëm që funksionon siç duhet në Mitrovicën e Veriut, sipas Jakshiqit, është Kuvendi Komunal.

“Edhe pse agjenda e seancave ka qenë gjithnjë e diskutueshme dhe e kushtëzuar nga angazhimet ligjore lidhur me buxhetin, janë publikuar raportet dhe është mbajtur numri i seancave të detyrueshme gjatë vitit. Përveç kësaj, ka pasur përpjekje nga Komuna që është themeluar në vitin 2014 për të kontribuar në infrastrukturën lokale. Por pothuajse të gjitha projektet janë gjysmë të realizuara, duke filluar nga stacioni i autobusëve, objekti i zjarrfikësve, salla e sporteve ose rindërtimi i rrugës ‘Lola Ribar’”, ka thënë Jakshiq. Sipas tij, politikat e mëdha kanë bërë që kryetari i Komunës të mos dalë përtej atyre obligimeve dhe të fokusohet në çështjet lokale. Jakshiq thotë se zgjedhjet e shpeshta kanë bërë që prioritet të jetë sigurimi i një baze të qëndrueshme votash, “e jo zhvillimi i qëndrueshëm i Komunës”.

Edhe përfaqësues shqiptarë të komunave në veri të Kosovës kanë folur për performancë të dobët në qeverisje. Bashkim Cimili, anëtar i Kuvendit të Komunës në Mitrovicën e Veriut thotë se degradimi në qeverisje ka ndodhur veçmas dy mandatet e fundit.

“Me vetë faktin se kryetari Goran Rakiq dha dorëheqje, është tregues se edhe performanca në terren ka qenë e dobët. E keqja e krejt kësaj është se shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe t’u shkelen të drejtat e garantuara me ligj. Çështja e nënkryetarit për komunitete mbetet problem i pazgjidhur, edhe pse zgjedhjet lokale mbahen prej vitit 2013”, shprehet Cimili. “Nuk ka asnjë ndryshim as sa u përket çështjeve elementare, siç është miratimi i stemës dhe vulave komunale. Po ashtu, nuk janë formuar drejtoritë që kanë qenë të parapara, si dhe nuk ka ndodhur zhvendosja tek objekti i ri i Komunës, i cili është ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian”.

Kryetarë me nga dy kapela

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, Kosova për herë të parë organizoi zgjedhjet edhe në katër komunat veriore. Me gjithë konstituimin e tyre, Serbia ua zgjati jetën strukturave lokale, nën emërtimin, “Autoritete të Përkohshme”. Masat e përkohshme të Serbisë për këto komuna, të ripërtërira në vitin 2015, mbesin ende të tilla. Kjo ka bërë që shumë përfaqësues komunalë t’i mbajnë nga dy kapela.

Në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Spiriq, është emëruar kryetar i të ashtuquajturit Trup i Përkohshëm i Kuvendit Komunal. Ai njëkohësisht është edhe zëvendëskryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, i emëruar në këtë post nga Goran Rakiq, i cili qe dy mandate është zgjedhur kryetar. Në Komunën e Zveçanit kryetare e të njëjtit trup është emëruar Vuqina Jankoviq. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të organizuara nga Kosova, ajo u zgjodh kryetare. Njëjtë është vepruar edhe me Komunën e Leposaviqit, ku shef i organit paralel dhe njëkohësisht kryetar sipas ligjeve të Kosovës është Zoran Todiq. As Zubin-Potoku nuk bën përjashtim, ku kryetar të Trupit të Përkohshëm të Kuvendit, Beogradi ka emëruar Stevan Vuloviqin, i cili është kryetar i dalë nga zgjedhjet e Kosovës. Mbështetur në të dhënat e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, në tërë Kosovën janë plot 29 organe të përkohshme, me më shumë se 5 mijë të punësuar. Objekti i kësaj zyre ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe ka shtatë departamente. Ata nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me temën.

Instituti për Studime të Avancuara (GAP) është Think Tank që avokon për një qeverisje më të mirë, duke monitoruar punën e institucioneve publike qendrore dhe lokale.

Bekimi Salihu, hulumtues i lartë në këtë institut që menaxhon projektin për qeverisje lokale, thotë se ekzistimi dhe funksionimi i organeve paralele të Serbisë në këto komuna jo vetëm që ka penguar, por ka pamundësuar ndërtimin dhe funksionimin e organeve të Kosovës në atë pjesë të vendit.

“Sistemi paralel i Serbisë në veri është i shtrirë nga administrata, te shërbimet publike, në shëndetësi e arsim, sistem bankar dhe atë energjetik e deri të ndërmarrjet publike. Kjo mbështetje e hapur nga Serbia i ka motivuar udhëheqësit lokalë serbë që në disa raste të hezitojnë e në raste të tjera edhe të sabotojnë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës”, shprehet ai.

Salihu shton se gjendja sa i përket qeverisjes lokale në këto komuna dallon thellësisht me komunat e tjera të Kosovës. Hapi me domethënës, por jo i mjaftueshëm, në formimin dhe integrimin e këtyre komunave, sipas Salihut, ka qenë mbajtja e zgjedhjeve lokale në vitin 2013 dhe 2017.

“Por komunat e veriut të Kosovës edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale nuk janë integruar në sistemin juridik dhe politik të Kosovës. Kryetarët e dalë nga zgjedhjet në katër komunat e veriut përgjithësisht kanë refuzuar të ushtrojnë mandatin në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Ligji për vetëqeverisje lokale në Kosovë përcakton saktë detyrat dhe përgjegjësitë që ka një kryetar i zgjedhur i komunës. Hapi i parë i tyre del të jetë konsolidimi i ekzekutivit, përkatësisht zgjedhja e drejtorëve të drejtorive dhe ushtrimi i funksioneve ekzekutive. Në të katër komunat e veriut përgjithësisht kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Salihu. “Për më tepër, të njëjtët kryetarë të dalë nga zgjedhjet e Kosovës ushtrojnë edhe funksione të ngarkuara nga Qeveria e Serbisë, pozita këto që bien ndesh me parimet juridike dhe institucionale të Kosovës”.

Por Marko Jakshiq mendon se funksionimi i komunës nuk lidhet drejtpërdrejt me punën e të ashtuquajturave struktura paralele në veri të Kosovës.

“Ekzistenca e tyre justifikon qëllimin, madje edhe në aspektin e plotësimit të nevojave të popullatës lokale të drejtuar ndaj Republikës së Serbisë, dhe më e rëndësishmja, sa i përket punësimit të një numri të madh të njerëzve dhe sigurimit të ekzistencës për familjet e tyre. Kjo çështje është e lidhur tashmë me shpërthimet politike midis Beogradit dhe Prishtinës në procesin e dialogut”, ka thënë Jakshiq.

Situatë e njëjtë është edhe në Komunën e Zubin-Potokut. Por Agim Hasani, i cili është zëvendëskryesues për komunitete thotë se ka ngritje të performancës në qeverisjen lokale.

“Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, edhe niveli lokal shpeshherë ndikohet nga zhvillimet politike. Megjithatë, shërbimet për qytetarët janë përmirësuar dukshëm”, ka theksuar Hasani.

Mungesë transparence dhe llogaridhënieje

Mungesa e raportimeve dhe e llogaridhënies para Kuvendit Komunal dhe qytetarëve, mosadresimi i rekomandimeve të institucioneve qendrore, dobësitë në financat lokale - janë disa prej mangësive të evidencuara për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin-Potokun dhe Zveçanin. Kjo është theksuar edhe në dokumentet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal edhe në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Ligji për vetëqeverisje lokale i obligon kryetarët e komunave që të raportojnë në baza të rregullta ose atëherë kur kërkohet nga Kuvendi i Komunës. Sipas nenit 58 të këtij ligji, i pari i komunës është i obliguar të raportojë së paku një herë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi, për situatën ekonomiko-financiare dhe për zbatimin e planeve investuese të komunës.

Mbështetur në raportin e MAPL-së për periudhën janar-dhjetor 2018, i cili u publikua në mars të këtij viti, katër kryetarët e veriut nuk kanë arritur as kriterin minimal. Ata kanë raportuar vetëm nga një herë. Po ashtu, zero takime publike me qytetarë janë regjistruar në komunat e populluara me shumicë serbe, mekanizëm dhe parim ky bazë i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në krijimin e politikave.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, çdo komunë mban së paku dy herë në vit takime publike në të cilat mund të marrë pjesë secili person apo organizatë me interes në komunë. Njëra nga mbledhjet duhet të mbahet në gjashtëmujorin e parë të vitit. Të dhënat për dëgjime me qytetarë nuk janë prezantuar në faqet zyrtare të komunave - Leposaviq, Zubin -Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Mungesa e transparencës për punën e komunave është evidencuar edhe në raport me hulumtimin. Asnjëri prej kryetarëve të komunave veriore nuk ka pranuar të flasë.

Me vështirësi të tilla është ballafaquar edhe organizata kryesore joqeveritare në veri “Aktiv”. Drejtuesi i saj, Miodrag Miliçeviq, ka thënë se për shkak të taksës, veriorët nuk kanë ofruar qasje në asnjë informacion zyrtar, në lidhje me Indeksin e Transparencës së Administratave Komunale në Veriun e Kosovës për vitin 2018. Sipas Miliçeviqit, zhvillimet politike janë ato që diktojnë punën e qeverisjes lokale.

“Ka ende dualizma dhe pengesa politike. Kur ishte arritur marrëveshja në vitin 2013, Serbia vendosi që t’i riorganizojë komunat duke i quajtur organe të përkohshme. Ato janë ende aty, edhe pse nuk quhen komuna”, shprehet ai. “Komunat nuk kanë themeluar ende zyrat për informim, nuk ekzistojnë faqet zyrtare, dhe kjo e bën të vështirë marrjen e informacioneve të domosdoshme”.

Bekim Salihu vlerëson se njëri nga faktorët që e ka shkaktuar këtë gjendje është Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit të vitit 2013, e cila përcakton mbajtjen e zgjedhjeve sipas sistemit të Kosovës, por nuk saktëson se çka pas këtyre zgjedhjeve.

“Serbia e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës vazhdon të ushtrojë kontroll në terren përmes të ashtuquajturave ‘organe të përkohshme’ që në fakt janë struktura paralele që sfidojnë kushtetutshmërinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Organizatat e shoqërisë civile që merrem me qeverisje lokale e kanë të pamundur të sigurojnë informata nga këto komuna, ngase faqet zyrtare në internet mungojnë, zyrtarët për informim në këto komuna mungojnë, mungojnë raportet financiare dhe raportet e punës, prandaj kemi të bëjmë me një situatë ‘sui generis’”, ka theksuar ai.

Mbështetur në të dhënat që ka siguruar gazeta prej institucioneve - Mitrovica Veriore, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku nuk kanë financuar asnjë projekt të organizatave të shoqërisë civile.

Komunat veriore përdorin faqe jozyrtare dhe pa domen të Kosovës, ku janë të paraqitura kryesisht investimet dhe donacionet që bënë Serbia.

Në vitin 2018 është realizuar projekti për ridizajnimin e ueb-faqeve të të gjitha komunave. Ndryshimet kanë mundësuar integrimin e sistemit të intranetit në faqet zyrtare, ku qytetarët mund të adresojnë kërkesat për pajisje me dokumentet e gjendjes civile.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Pushtetit Lokal, gjatë kësaj periudhë në faqet zyrtare të komunave janë publikuar gjithsej 297 procesverbale të mbledhjeve të kuvendeve të komunave. Por llogaritjet e bëra marrin për bazë vetëm të dhënat për 36 komuna. Kjo pasi niveli i publikimit në komunat - Mitrovicë Veriore, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan është zero për qind. Ato nuk kanë publikuar asnjë dokument buxhetor, as nuk kanë raportuar t’u jetë drejtuar ndonjë kërkesë për qasje në dokumentet zyrtare.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë arsyetuar vonesat në funksionalizimin e faqeve zyrtare, me zhvillimet e muajve të fundit në veri.

“Për shkak të situatës së krijuar në fund të vitit, me rastin e dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave Mitrovicë Veriore, Zubin- Potok, Zveçan dhe Leposaviq, ky proces është ngadalësuar. Kjo pikë është pjesë e Planit të Punës së MAPL-së dhe një nga prioritetet për vitin 2019, ku gjatë vitit do të vazhdojnë përpjekjet e shtuara në drejtim të funksionalizimit të plotë të faqeve zyrtare të këtyre komunave, në mënyrë që qytetarëve të asaj pjese t’iu mundësohet qasje në raportimet online të problemeve të sigurisë dhe kërkesave të ndryshme nga autoritetet komunale”, kanë thënë në MAPL.

Ky dikaster është autoriteti që ushtron mbikëqyrjen e ligjshmërisë së dokumenteve që miratojnë komunat.

Gjatë vitit 2018, procesit të vlerësimit të ligjshmërisë u janë nënshtruar gjithsej 2074 akte të aprovuara nga kuvendet e komunave. Gjithsej janë konstatuar 107 shkelje, prej të cilave 65 janë konstatuar nga MAPL-ja dhe 42 nga ministritë e linjës. Në këtë proces, komunat kanë arritur të harmonizojnë gjithsej 71 akte, derisa 36 akte mbeten të pa harmonizuara me ligj apo 1.7 për qind nga totali i akteve të aprovuara. Në mesin e komunave të cilat nuk kanë harmonizuar aktet edhe pas dërgimit të kërkesës për rishqyrtim nga autoriteti mbikëqyrës janë – Zubin-Potoku (1) dhe Mitrovica e Veriut (1).

Me qëllim të përmirësimit të aspekteve operacionale të punës në administratë, përgjegjësinë vendimmarrëse, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve - komunat kanë hartuar planet lokale të integritetit. Këto plane nuk janë hartuar nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, dhe Leposaviqi.

“Mungesa e konsolidimit të administratës në komunat e veriut vjen për shkak të hezitimit ose kundërshtimit të tyre ndaj autoriteteve të Kosovës. Këto komuna në fillim të vitit 2014 i kanë miratuar statutet e tyre dhe aty precizohet që komunat do të kenë nga 14 drejtori komunale, ndërsa në fakt kryetarët e komunave i kanë bërë pjesërisht funksionale diku tri e diku katër drejtori. Puna e tyre ka qenë kryesisht jotransparente dhe me mungesë të llogaridhënies”, ka thënë Bekim Salihu.

Por Marko Jakshiq e fajëson edhe Prishtinën zyrtare për gjendjen në veri. Kësisoj, sipas tij, është arritur pak përparim sa i përket plotësimit të kërkesave të qytetarëve.

“Dhe kjo nuk është e lidhur ekskluzivisht me pamundësinë e administratës lokale, por është gjithashtu rezultat i pengimit të punës nga autoritetet qendrore. Për shembull, regjistri i librave amzë ende nuk i është dorëzuar Komunës së Mitrovicës apo ndonjë komune tjetër në veri të Kosovës, kështu që qytetarët duhet të shkojnë për shërbime në Mitrovicën e Jugut, në fshatrat Lip ose Çabër”, thotë ai.

Performancë e dobët buxhetore

Mangësi tjetër në komunat veriore është niveli i ulët i realizimit të buxhetit. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare për pasqyrat financiare në vitin 2018, në Mitrovicën e Veriut mbi 2 milionë apo 31 për qind e buxhetit ka mbetur i pashpenzuar. Kjo ka ndodhur për shkak të një planifikimi të dobët dhe të pabazuar në objektiva të qarta. Ndërkaq Komuna e Zveçanit ka pasur performancë edhe më të dobët buxhetore. Vetëm 50 për qind e buxhetit final ishte shpenzuar, që paraqet një rënie prej 15 për qind krahasuar me atë të vitit paraprak (65 për qind). Posaçërisht i dobët është realizimi i projekteve kapitale, me vetëm 41 për qind.

Sfidë tjetër në veri mbetet edhe moszbatimi i ligjeve dhe i rregulloreve për vendosjen e taksave, tarifave dhe ngarkesave. Komunat veriore nuk janë duke zbatuar Ligjin për tatimin në pronë dhe Ligjin për ndërtimet. Kjo ka bërë që niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake të jetë shumë i ulët. Sipas auditorit, niveli i qeverisjes brenda komunës, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial është mjaft sfidues.

Buxheti i vogël i cili përbëhet ekskluzivisht nga transferet, sipas Marko Jakshiqit, paraqet problem pasi që Komuna e Mitrovicës së Veriut funksionon pa të hyra të mëdha vetjake.

“Prandaj investimet në infrastrukturë dhe investime kapitale nuk ekzistojnë praktikisht”, thotë Jakshiq.

Ai ka folur edhe për pamundësinë e komunës së Mitrovicës që ta shfrytëzojë Fondin për Veriun për shkak të pengesave burokratike.

“Këto janë disa nga problemet praktike me të cilat ballafaqohen qytetarët, të cilat në thelb ngarkojnë punën e administratës komunale, së bashku me problemet politike që janë prezentë gjatë gjithë kohës”, shprehet Jakshiq.

Rendiment i ulët është shënuar sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) dhe Komiteti i Auditimit nuk janë themeluar ende. Komunat veriore nuk kanë përmbushur as kërkesën e Ministrisë së Financave lidhur me dorëzimin e pyetësorit të vetëvlerësimit.

Ngecje në përmbushjen e agjendës evropiane

Komunat kanë rol thelbësor edhe në raport me përmbushjen e masave që dalin nga Agjenda Evropiane e Kosovës. Më 10 mars të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Programi i komunave në këtë fushë është strukturuar rreth kritereve politike dhe ekonomike. Në kuadër të masave për ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, komunat është dashur të hartojnë programin dhe databazën e trajnimeve. Ky program nuk është krijuar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin- Potok.

Komunat po ashtu duhet të ndërmarrin veprime konkrete që komunitetet joshumicë të përfshihen në administratën publike, si dhe të realizojnë të drejtat për punësim. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të punësuarve nga radhët e komuniteteve joshumicë në institucionet publike lokale në 26 komuna në nivel vendi është 646. Por Mitrovica Veriore, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku kanë raportuar se nuk kanë të punësuar nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Xhemshit Bekteshi është zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Leposaviqit. Ai thotë se kurrë nuk kanë qenë më të anashkaluar sesa tani. Ai ka treguar se në dy konkurset e muajve të fundit, ku janë punësuar mbi 250 veta, prej tyre nuk është asnjë shqiptarë. Brenda territorit të kësaj komune hyjnë fshatrat e banuara me shumicë shqiptare - Cerajë, Bistricë dhe Koshtovë.

“Kemi kërkuar disa herë takim me kryetarin aktual, Zoran Todiq, por nuk na përgjigjet. Qasjen e kemi të kufizuar në Komunë”, ka thënë Bekteshi, i cili ka qenë nënkryetar për komunitete mandatin e kaluar.

Bekteshi ka fajësuar edhe Qeverinë e Kosovës për mosinteresim dhe mungesë mbikëqyrjeje të komunës.

Zhvillimi ekonomik është një nga prioritetet kryesore në nivel lokal. Politikat ekonomike përbëjnë substancën programore pothuajse të të gjithë mekanizmave të administratës shtetërore, përfshirë komunat të cilat kanë një rol të padiskutueshëm në këtë drejtim. Në vitin 2018 Qeveria ka aprovuar Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal, ndërkohë janë duke u bërë ndryshimet në Ligjin për financat e pushtetit lokal. Kjo strukturë nuk është shtrirë edhe në komunat - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.

Asociacioni/Bashkësia, nyja e zgjidhjes së problemeve

Për Miodrag Miliçeviqin, nyja për zgjidhjen e problemeve të komunave veriore është themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Përfaqësuesit e serbëve në veri e patën ndërlidhur themelimin e këtij mekanizmi me sistemimin e stafit tepricë, për të cilët nuk do të ketë vend nëpër administrata aktuale komunale. Synimi është që atyre t’u njihet statusi i shërbyesve civilë. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, në tri komunat veriore paguhen rregullisht rreth 300 nëpunës që u kanë shërbyer strukturave politike ilegale të deritashme. Ligji për vetëqeverisje lokale precizon se shërbimi civil komunal përfshin të gjithë personat e punësuar nga autoriteti komunal, rroga e të cilëve paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Përjashtim bëjnë kryetari, nënkryetari, drejtorët komunalë, kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës. Mbështetur në marrëveshjen e parimeve për Asociacionin/Bashkësinë, në vitin 2015 palët ishin dakorduar që këta shërbyes të përfitonin nga statusi i punësimit në bazë të ligjeve të Kosovës, Ligjit të punës ose Ligjit për shërbimin civil. Por kjo u vlerësua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e cila gjeti shkelje në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes për Asociacionin/Bashkësinë. Gjykata ka konstatuar që stafi i administratës së Asociacionit/Bashkësisë nuk duhet të konsiderohet pjesë e shërbimit civil. Megjithatë, Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Isa Mustafa, dhe Qeveria aktuale e drejtuar nga Ramush Haradinaj kanë refuzuar ta hedhin poshtë Marrëveshjen, duke premtuar që frymën kushtetuese ta kthejnë në dekret dhe statut të Asociacionit/Bashkësisë.

Kërkesat e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë kanë pushuar muajt e fundit. Në anën tjetër, ka rritje të tensioneve të cilat kanë reflektuar edhe në qeverisjen lokale. Pas vendimit të Qeverisë nëntorin e vitit të kaluar për rritjen e taksës në 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, kryetarët e komunave veriore dhanë dorëheqje. Kryetarët e rizgjedhur kanë paralajmëruar të japin sërish dorëheqje, nëse këtë ua kërkon Serbia.

Bekim Salihu thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i japin fund qasjes së veriorëve që organet komunale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike.

edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna gjendja nuk fillon të përmirësohet ose nëse kryetarët e dalë nga këto zgjedhje japin prapë dorëheqje, atëherë institucioneve të Kosovës u mbetet vetëm një opsion, dhe ai është formimi i zyrave administrative të përkohshme në këto komuna”, ka thënë Salihu. Sipas tij, këto zyra do të ushtronin funksionet e komunave, ashtu siç është vepruar për Mitrovicën e Veriut me themelimin e Zyrës Administrative.

Ish-ilegalët e integruar në organet komunale

Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka adresuar edhe çështjen e integrimit të ish-strukturave paralele. Shumë prej tyre janë rehatuar në organet e qeverisjes lokale.

Ministria e Pushtetit Lokal ka aprovuar vendimin lidhur me kërkesën e Komunës së Zveçanit për funksionalizimin e administratës komunale. Në vitin 2016, ata kanë kërkuar të hiqen nga lista e pagave 178 zyrtarët e të ashtuquajturave strukturave paralele dhe t’i krijohet mundësia Komunës që të zhvillojë procedurat e rekrutimit të shërbimit civil dhe legjislacionit sektorial për arsim dhe shëndetësi. Një kërkesë të tillë e ka parashtruar edhe Komuna e Leposaviqit, e cila ka kërkuar heqjen nga lista e pagave të 211 zyrtarëve të strukturave paralele, dhe ata të rekrutohen mbështetur në procedurat që kërkon shërbimi civil.

Me vendim të Qeverisë, në prill të vitit 2018, është rritur numri i zyrtarëve për buxhet, në funksion të përmbylljes së integrimit të 39 ish-zyrtarëve të administratës së MUP-it të Serbisë.

Në bashkëpunim me misionin evropian për sundimit të ligjit-EULEX, Ministria e Pushtetit Lokal ka thënë të ketë ndërmarrë të gjitha veprimet për integrimin e 39 personave në katër komuna, përkatësisht 17 persona në Mitrovicën e Veriut, 10 në Zveçan, 7 në Leposaviq dhe 5 në Zubin-Potok.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja.