Arbëri

Krerët e samitit për Ballkanin Perëndimor takohen në Poznan

Poznan, 5 korrik – Çështja e fillimit të bisedimeve të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të jetë në qendër të një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të Procesit të Berlinit, në ditën e fundit e samitit për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet në Poznan, në perëndim të Polonisë.

Takimi i së premtes do të ndiqet, mes liderëve të tjerë, edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti polak Andrzej Duda, kryeministri polak Mateusz Morawiecki, kryeministri francez, Edouard Philippe dhe kryeministrja britanike Theresa May, si dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendësministri i Jashtëm polak Szymon Szynkowski vel Sek, përgjegjës për organizimin e samitit, deklaroi se takimi i së premtes “do të përmbledhë veprimet e ndërmarra brenda Procesit të Berlinit deri më sot si dhe do të përcaktojë planet për të ardhmen”.

“Një atmosferë pozitive politike rreth vendimeve lidhur me Ballkanin Perëndimor është e nevojshme”, tha ai.

“Ne dëshirojmë që pjesëmarrësit e samitit të pranojnë të hapin negociatat e pranimit në tetor, ndërsa Polonia është avokate e kësaj zgjidhjeje dhe ne do të përpiqemi të bindim udhëheqësit e tjerë që ta miratojnë atë”, shtoi Szynkowski.

Sipas tij, takimi nuk do të marrë asnjë vendim formal.

Procesi i Berlinit është një iniciativë ndërqeveritare e udhëhequr nga Gjermania për të nxitur zgjerimin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor (Shqipëria, Bosnje- Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

Iniciativa përfshin tetë vende të BE-së, Gjermaninë, Francën, Italinë, Austrinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Britaninë e Madhe.

Polonia u bashkua me projektin vitin e kaluar dhe mori presidencën e saj në janar/ ATSH-PAP.