Arbëri

BE pret nga Kosova respektimin e marrëveshjeve, edhe atë për vizitat e zyrtarëve

Descriptive Text

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç ka reaguar sot pas vendimit të autoriteteve të Kosovës që asnjë zyrtari nga Beogradi të mos i lejohet hyrja në territorin e Kosovës, raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Ajo tha se BE pret respektimin e marrëveshjes mbi vizitat e zyrtarëve, e arritur në kuadër të dialogut midis Beogradit e Prishtinës.

“Presim respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut midis Beogradit e Prishtinës, nën mbikëqyrjen e BE-së, përfshirë edhe marrëveshjen mbi vizitat e zyrtarëve”, citohet të ketë thënë Kocijançiç.

Përmes një kumtese me shkrim, duke iu përgjigjur pyetjes së Tanjug (agjencia serbe e lajmeve – plotësimi ynë), në lidhje me reagimin e BE-së ndaj, siç e quajnë mediat e Beogradit vendimin e Kosovës, provokimit të fundit nga ana e Prishtinës, Kocijançiç ka shtuar edhe se në lidhje me situatën e krijuar rishtas, ‘BE Është në kontakt me të dy palët”.

Marrëveshja mbi vizitat e zyrtarëve ka nisur të zbatohet nga 1 dhjetori i vitit 2014, ndërsa ai është shkelur disa herë nga pala e Prishtinës.

Koha.net rikujton se Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar sot për vendimin me të cilin u ndalohet hyrja në Kosovë të gjithë zyrtarëve nga Beogradi.