Arbëri

Analistët po e shohin të pafuqishëm Veselin, ngjarjet në PDK i shohin si përplasje me Thaçin

Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duket se nuk po i ecë fjala brenda partisë.

Vendimi i tij për t’i larguar nga pozitat udhëheqëse personat që kanë probleme me ligjin, ka vënë në pah përplasjet dhe kundërshtimet brenda subjektit, raporton KTV.

Kreu i kësaj partie në Skënderaj, Sami Lushtaku, e ka kundërshtuar vendimin e Veselit.

Kundër të parit të PDK-së, ka dalë edhe ish-shefi i deputetëve të kësaj partie, Adem Grabovci, i cili është i akuzuar në rastin “Pronto”.

Por, kjo parti mohon se ka përplasje brenda strukturave. Blerand Stavileci thotë se nuk do të ketë zmbrapsje të Veselit nga kjo nismë.

Analistët Imer Mushkolaj dhe Artan Muhaxhiri, thonë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli, është duke u treguar i pafuqishëm karshi disa figurave të partisë.

Ata veçojnë edhe ndikimin e ish-kreut të kësaj partie, Hashim Thaçi, duke thënë se po zhvillohet një betejë politike, Thaçi-Veseli.

Ditë më parë, nëpërmjet postimi në facebook, kryetari i degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku, ka thënë se brenda strukturave të partisë duhet të largohen dhe përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona që e kanë bllokuar Kosovën dhe kapur sistemin e drejtësisë.