E qetë ka qenë Tirana një ditë para zgjedhjeve lokale.
Këto janë zgjedhjet e para në Shqipëri që nga viti 1990, të cilat pritet të mbahen pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila nuk i pranoi zgjedhjet pa u plotësuar kërkesa e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama, raporton KTV.
Shumica e qytetarëve thonë se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat i konsiderojnë të pandershme dhe jodemokratike.
Ndryshe nga Tirana, protestë kundër zgjedhjeve të shtunën, ka pasur në Laç dhe në Dibër.
Derisa Bashkitë e Shkodrës, Mallakastrës dhe Pogradecit mbyllën shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, duke thënë se do të zbatojnë dekretin e presidentit Ilir Meta, që e ka anuluar procesin dhe si datë të re të zgjedhjeve e ka përcaktuar 13 tetorin.
Lidhur me këtë, u arrestuan 4 persona, punëtorë të bashkive, ndërsa nënkryetari i njësisë në Mallakastër është shpallur në kërkim.
Megjithatë, ka qenë presidenti Iliri Meta, i cili një ditë para 30 qershorit ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë se duhet respektuar vendimi i gjithsecilit për të votuar.
Ndërkohë, në prag të zgjedhjeve janë shtuar masat e sigurisë, në veçanti forca të ushtrisë janë parë pranë institucioneve publike dhe ambasadave të huaja.
Mbi 7 mijë zyrtarë policorë do të përkujdesën të dielën për procesin zgjedhor, në të cilin të drejtë vote kanë mbi 3 milionë e 500 mijë qytetarë.
5417 qendra të votimit dhe 90 Komisione Zgjedhore Administrative në tërë Shqipërinë do të jenë të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 18 në mbrëmje.