Arbëri

Haradinaj: Duke e forcuar paqen në Kosovë, e forcojmë paqen edhe në botë

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, gjenerata 2019, që u mbajt në Kazermën Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.

Siç njofton komunikata nga Kryeministria, Haradinaj duke i uruar kadetët për këtë gradim dhe për shërbimin që po ia bëjnë vendit tha se këta kadetë janë gjenerata e parë që diplomojnë pas votimit në Parlament, edhe pas dhënies së mandatit të FSK-së si Forcë Mbrojtëse të Kosovës duke u bërë kështu vetë historia.

“Ju uroj për gradimin dhe ju falënderoj për shërbimin e deritashëm. Ju ftoj që të shërbeni me nder në ushtrinë e Kosovës, për popullin e Kosovës, për paqen dhe për rreshtin e ushtrive të paqes të cilëve ne i takojmë dhe do t’iu takojmë, pra së shpejti në NATO, të cilës i prin SHBA-ja”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Kosova si vend, vjen prej sfidave e tragjedive dhe ende është e sfiduar por nuk bën garë me të keqen, garën siç tha kryeministri, e bëjnë me të mirën dhe synojmë t’iu takojmë popujve të lirë, ushtrive të popujve të lirë atyre ushtrive që garantojnë paqen.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj shtoi se është në nder tek secili prej nesh që duke e forcuar paqen në Kosovë ne e forcojmë paqen edhe në botë .

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha tha se ka nderin që sot të merr pjesë në këtë datë të rëndësishme për karrierën dhe jetën e kadetëve por edhe FSK-në e shtetin e Kosovës.

“Sot duhet të jeni krenarë për arritjet e juaja dhe të zotoheni që ta nderoni uniformën e FSK-së, ta nderoni atdheun dhe të mbroni paqen, liritë dhe shtetin e ndërtuar më shumë sakrificë”, tha ministri Berisha.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, përfaqësues të KFOR-it dhe personalitete të tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Në fund të ceremonisë u bë betimi i kadetëve dhe u dekoruan me medalje Naim Smakolli për shërbim vetëmohues dhe kadet Dritëro Bajrami për rezultate te larta në përvetësimin e programit mësimor.