Arbëri

Gashi: Ligji për sponsorizim do të thotë më shumë medalje për Kosovën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se nëse të enjten në Kuvendin e Kosovës mundësohet harmonizimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave me Ligjin për sponsorizim, për sportin dhe kulturën në Kosovë do të hapej një dritare e re.

Sipas tij, ky harmonizim do t’i sillte Kosovës më shumë medalje sporti e çmime ndërkombëtare në kulturë.

“Në seancën e nesërme të thirrur do të votohet më në fund harmonizimi i Ligjit për të ardhurat e korporatave me atë për sponsorizim. Të gjitha të tjerat punë i kemi kryer. Kemi nxjerrë rregulloren që tregon qartë rrugën për implementimin. Votimi nesër hap rrugë të re për implementimin dhe është dritare e re në shërbim të zhvillimit të kulturës e sportit. Kjo do të thotë më shumë medalje për Kosovën e çmime ndërkombëtare për ata që performojnë. Nesër ky harmonizim do të ndodhë dhe do të jetë lajm i mirë për të gjithë sportistët”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se ligji për sponsorizim është në interes të klubeve sportive, institucioneve komunale e kompanive private. Sipas tij, rreth 10 milionë euro subvencione ndahen tash nga ministria që ai udhëheq. Siç ka thënë ai, sipas matjeve, ka rezultuar se rreth 30 milionë euro mund të investohen përmes Ligjit për sponsorizim “e nëse u shtohen subvencioneve të ministrisë edhe 30 milionë do të shihet qartë zhvillimi”.

Gashi ka thënë se ligji parasheh përqindje më të lartë subvencioni për sport dhe kjo tash nuk mund të ndryshohet.

“Në Kuvend kur është votuar para dy vitesh në një moment aty për aty deputetët kanë propozuar që të rritet pjesa e sportit, që ndoshta atëherë është pa si mundësi tjetër në raport me kulturën. Edhe sot mendoj se për të gjitha dikasteret është dashur të jetë e njëjtë, por ishte vendim i Kuvendit. Aktualisht kjo s’mund të ndryshojë. Ka filluar implementimi e të gjitha aktet i kemi parapa me atë ligj”, ka deklaruar më tej Gashi.

Ai ka përsëritur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të rregullohet me ligjin e ri, puna e teatrove dhe se të gjithë aktorët e teatrove në Kosovë do të jenë punëtorë të MKRS-së.


Gashi: Në Bjellorusi jemi trajtuar si shtet

Mininistri i Kulturës, Kujtim Gashi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në Minsk të Bjellorusisë përfaqësuesit e Kosovës janë pritur shumë mirë, dhe Kosova është trajtuar njëjtë si shtetet e tjera.

Ai ka thënë se ishte një paraqitje e jashtëzaonshme e sportistëve, të cilët sollën tre medalje.

“Siç jemi mësuar medaljet ishin nga xhudoja, ku Majlinda, Nora, e Loriana kanë sjellë medalje të artë, të argjendtë dhe të bronztë. Është lajm shumë i mirë që edhe Majlinda e Kelmendi dhe Driton Kuka financohen nga Ministria e Kulturës derisa sjellin medalje, e kjo po shihet se ka fuqizuar këtë sport”, u shpreh Gashi.

Gashi ka shtuar se sot në Kosovë nuk kemi asnjë problem në financimin e sportistëve pasi i kemi kategorizuar.

“Prandaj tani kemi një fazë krejtësisht të re. Kjo është një arsye e mirë që deputetët ta votojnë Ligjin për Sponsorizim nesër”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka treguar se në Minsk ishte i ftuar në cilësinë e ministrit.

“Ashtu siç kanë parakaluar shtetet e tjera ashtu edhe ne jemi paraqitur, derisa i njëjti trajtim ka ndodhur edhe gjatë garave. Jam shumë falënderues për Bjellorusinë për këtë trajtim nga ana e saj. Ne nuk kemi pasur viza fare, atje kemi shkuar me akreditim. Që nga moment kur kemi mbërritur ishte një ekip që na ka pritur dhe na ka sjellë sërish në aeroport. Ishte një mikëpritje e jashtëzakonshme, pra ishte shumë befasuese”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit kjo që ka ndodh në Bjellorusi është si rezultat i reagimeve të vazhdueshme tonat, prandaj ka pas një presion të komunitetit ndërkombëtar që të gjitha vendet të trajtohen njëjtë.