Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka bërë një dalje për median të martën në mëngjes.
Dalja e kreut të shtetit ka ndodhur një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi padinë e Partisë për Unitet Kombëtar (PUK) për t’u çregjistruar nga zgjedhjet për shkak të dekretit të presidentit, shkruan sot Koha Ditore.
Meta i quajti zgjedhjet më 30 qershor "imagjinare" dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor "një truk procedural".
"Kolegji Zgjedhor justifikoi politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e kreut të shtetit, por kurrsesi ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit të presidentit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Meta. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, sipas Metës, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës. Kreu i shtetit nënvizoi edhe një herë se është vetëm "Gjykata Kushtetuese ajo që mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të tij" dhe i bëri thirrje mazhorancës "të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi asnjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit".
Presidenti insiston se “zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë dhe e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)