Arbëri

Haradinaj: Kemi prova se Serbia po improvizon krizë humanitare në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë prova që ekziston një skenar improvizimi për një krizë humanitare në veri të Kosovës.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri u ka thënë gazetarëve se nuk do të lejojnë t’u mungojë asgjë qytetarëve të Kosovës në veri të vendit, por që do t’i dekonspirojnë projektet e tilla, që sipas tij janë të çuditshme.

Haradinaj tha se janë të detyruar të vendosin rend dhe ligj në veri të vendit, dhe se nuk do të kthehen prapa por do të punojnë drejt përforcimit të ligjit atje.

“Ne jemi në dijeni vetëm dy-tre javë përpara për një plan të tillë të improvizimit të një krize humanitare duke i bartë produktet e caktuara nëpër shtëpi, në objekte të tjera, kemi edhe prova të këtij skenari të tillë, njerëz të involvuar. Ne nuk do të lejojmë që t’u mungojë asnjë produkt, sepse janë qytetarë të Kosovës por po ashtu do t’i dekonspirojmë këto projekte të tilla që janë të çuditshme, nuk i takojnë më këtij shekulli, janë metoda të kaluara ato të veprimeve të tilla. E dimë se target kohe e kanë të enjten për me aktivizu këtë skenar, e kemi paralajmëruar një ditë përpara”, ka thënë Haradinaj. “Ekziston një tendencë që me na detyru si Kosovë me i mbyll sytë para kontrabandës dhe para trafiqeve, pra nuk guxojmë me leju këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor por kontrabandistët përveç produkteve ushqimore mund të bartin edhe narkotikë, armë, edhe produkte të tjera”, tha kryeministri Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Ditë më parë, KosovaPress raportoi se po përgatitet një plan nga njerëz të caktuar në veri, të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim që të pasqyrojnë një gjendje të rëndë, të ashtuquajtur “katastrofë humanitare”.

Duke u thirrur në burime të sigurta Ksp ka raportuar se javën që shkoi është mbajtur një takim urgjent në hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të shquar të asaj pjese, përfaqësues ilegalë të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi, me ç’rast veç tjerash, është hartuar plani për “katastrofën humanitare” në veri.

Sot, kryeministri i Kosovës tha se nuk do të lejojnë kontrabandën atje, që sipas tij, përveç produkteve ushqimore, aty mund të bartet edhe narkotikë dhe armë.