Arbëri

Limaj skeptik se marrëveshja finale do të përfundojë me njohje nga Serbia

Kosova është e gatshme të fillojë dialogun me Serbinë të pezulluar pas vendimit të Prishtinës zyrtare që produkteve që vijnë nga Serbia tu vendoset taksë prej 100%.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, njëherit edhe bashkëkryesues i Ekipit negociator i tha Ekonomia Online se dialogu mund të fillojë menjëherë, por pa kushte.

Kushtëzimin e dialogut me heqjen e taksës ai po e sheh si joseriozitet nga pala serbe, që sipas Limajt nuk po mund të heqin dorë nga e kaluara.

Madje ai është skeptik në vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit fqinj që vërtetë të vije te një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që parasheh njohjen reciproke.

“Kosova është e gatshme qysh nesër ta filloj dialogun, pa kushte dhe pa kushtëzime. Është në interesin e përbashkët të dy vendeve tona është inversi i regjionit. Jam skeptik në vullnetin dhe gatishmërinë e tyre që vërtetë të vije te një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që parasheh njohjen reciproke”, ka thënë Limaj.

Kreu i Nismës Socialdemokrate ka ftuar opozitën që ta sjellë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Ai më tej thotë se opozita nuk ka nevojë të pres që të bëjë 58 vota, por që me 40 vota mund të thërras seancë.

“Opozita nuk ka nevojë me i prit 58 vota, me 40 vota mundet me e thirr Kuvendin, ngritet mocioni me 40 vota dhe natyrisht me 40 vota mund ta provojë dhe i ka të gjitha mundësitë për të provuar mocionin e vet në Parlamentin e Kosovës”.

Ai thotë se partia që përfaqëson do të jetë pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vetëm nëse realizohen projektet e parapara që janë në interes të vendit dhe partnerët e koalicionit janë korrekt.