Arbëri

Kompensohen kujdestaritë edhe pa dëshmi se janë mbajtur

Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës ka kompensuar 36 raste për kujdestari të natës edhe pse në ditarët e kujdestarisë nuk kishte dëshmi se ato janë mbajtur fare. Kostoja që ka paguar ShSKUK-ja për këto kompensime ka qenë 11 mijë e 897 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë dhe shkelje të tjera janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e publikuar ditë më parë.

Mes shkeljeve janë gjetur edhe 13 raste kur të punësuarit nuk janë evidentuar në sistemin e vijueshmërisë së punës gjatë orarit të rregullt.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ShSKUK-në mangësitë e evidentuara ndodhin për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e drejtorëve të klinikave dhe reparteve.

Mangësitë në kalkulimin e kujdestarive dhe menaxhimin e ditarëve të kujdestarive të natës, sipas këtij raporti, rritin rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta dhe potencialisht për shërbimet të cilat nuk janë ofruar. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)