Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas shtyrjes së Samitit të Parisit, ka deklaruar se Serbia po mbahet e lidhur fortë me Rusi, prandaj vendet tjera nuk kanë pse të mbesin peng i kësaj agjende.
Ai ka shtuar se me shtyrjen e Samitit të Parisit, do të vonohet edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Takimi i Parisit po shtyhet, me këtë vonohet edhe arritja e Marrëveshjes Kosovë-Serbi. Kosova nuk do të mbetet peng dhe as e izoluar nga teket e Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai thotë se, çdo pengesë që i bëhet Kosovës, është pengesë që po i bëhet edhe rajonit në proces të rrugëtimit evropian.
“ Serbia po mbahet e lidhur fortë me Rusi, prandaj vendet tjera nuk kanë pse të mbesin peng i kësaj agjende. BE dhe vendet anëtare duhet ta ashpërsojnë qasjen ndaj Serbisë. Vetëm atëherë Samitet nuk do të shtyhen dhe arritja e Marrëveshjes do të jetë opsion real. Më vie keq që Serbia preferon vonesat, sabotimet, ekuivokët”, ka shkruar Pacolli në Facebook.