Berat Thaqi nga Instituti GAP ka thënë se vazhdimi i kontratës së Qeverisë së Kosovës me kompaninë Euro-Lab për homologim do të paraqiste paaftësi të Qeverisë dhe një tjetër shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Duke folur për monopolin në këtë shërbim, Thaqi në Express Intervistën në KTV ka thënë se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të ndërhyjnë dhe të mos lejojnë ripërtëritjen e kontratës siç ishte paraparë në kohën e nënshkrimit të saj, dhjetë vjet më parë.
Thaqi ka cekur se kontrata ishte nënshkruar më 2008 dhe deri tash ishte e pamundshme të shkëputej për shkak të ekskluzivitetit që parashihej në kontratë. Ai ka thënë se kjo kontratë është në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencë dhe Kushtetutën e Kosovës. Tash që ajo kontratë skadon dhe nëse nuk ndërhyhet deri në korrik, ajo do të ripërtërihet edhe për dhjetë vjet. Sipas Thaqit, kontrata ishte e bazuar në një udhëzim administrativ që binte ndesh me ligjin dhe Kushtetutën. Ai ka thënë se në kontratë janë nënshkrimet e Fatmir Limajt dhe Ahmet Shalës. Kjo kontratë s’është bërë asnjëherë publike deri tash.
“Tash këtë vit ajo skadon, në korrik. Është me rëndësi që tash të ndërhyhet e të mos vazhdohet kontrata sepse nëse lihet kjo kontratë, ripërtërihet sepse ashtu është e paraparë me nënshkrimin e saj në fillim. Nëse s’ka kontratë tjetër, ajo ripërtërihet automatikisht. Duhet vepruar tash që të mos dëmtohet buxheti e taksapaguesit edhe në një mënyrë tjetër sepse deri tash kanë paguar mjaft shtrenjtë për një gjë të obligueshme”, ka thënë ai. “Koha është shumë e shkurtër. Kemi mobilizim edhe të Kuvendit dhe të zyrës së BE-së. Koha e shkurtër e rreziqe e mëdha. Do të ishte dështim i madh nëse dështojmë ta rregullojmë këtë çështje një herë e mirë sipas rregullave e Kushtetutës. Do të bëhej shkelje e re e Kushtetutës. Vazhdimi do të tregonte paaftësi të madhe e mungesë të vullnetit të qeverisë për të mbrojtur interesat e qytetarëve”.
Ai ka thënë se Qeveria në vitin 2015 kishte kërkuar skanimin e të gjitha monopoleve dhe ishte vënë re edhe kjo e homologimit, por prapë ishte hapësirë e kufizuar dhe s’mund të shkëputej, vetëm nëse kompania private do të tregonte mirëkuptim për të hapur tregun.
Pos shkeljeve përmes monopolit, Thaqi ka thënë se edhe çmimi prej 125 eurosh për këtë shërbim është më i lartë se në vendet e rajonit, madje edhe në disa vende tjera të Evropës. Në rajon e më gjerë çmimi sillet mes 30 dhe 70 euro. Sipas tij, Kosova s’hyn as në skemat e njohjeve të certifikatave që do të kursente miliona euro të qytetarëve. “Nëse ti importon nga Gjermania e jeton në Francë s’ke nevojë fare për këtë shërbim. Në Kosovë s’lejohet që këto certifikata të njihen automatikisht. Kjo do të kursente miliona euro të qytetarëve”, ka thënë ai.
Thaqi ka thënë se tash çmimi është i rregulluar nga Ministria e Infrastrukturës, por për këtë çmim s’ka pasur kurrë arsyetim. Ai ka thënë se duhet të publikohet metodologjia e kalkulimit dhe që një trup i pavarur të verifikojë nëse është i arsyeshëm apo jo. Sipas tij, bazuar në shtetet tjera ka indikacione se çmimi duhet të jetë më i ulët. Nëse hapet tregu ai ka thënë se MI-ja mund të caktojë një çmim tavan për këtë shërbim.
Në fund Thaqi ka thënë se po ashtu Instituti GAP ka kërkuar që të hetohet kjo kontratë e të shihet nëse ka pasur ndonjë aferë prapa apo jo. Sipas tij, nga ky monopol janë humbur dhjetëra miliona euro të qytetarëve të Kosovës.