Arbëri

LDK kërkon hetim për “keqpërdorimet milionëshe” të Zyrës së kryeministrit

Descriptive Text

Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj po abuzon dhe keqpërdor buxhetin e Kosovës. Për këtë, Lidhja Demokratike e Kosovës fton organet përgjegjëse që të merren me keqpërdorimet milionëshe të kësaj zyre.

Kështu ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ku ka komentuar raportin e Auditorit të Përgjithshëm për zyrën e kryeministrit.

Ai ka thënë se shqyrtimi i këtij raporti do të bëhet edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e financave Publike, i cili kryesohet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Ky raport nuk do të mbetet me kaq... Ky raport do të shqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të komisionit dhe eventualisht do të shkojë edhe në sallë. Dhe, unë ftoj edhe organet përgjegjëse që të merren me këto keqpërdorime milionëshe të taksave të qytetarëve”, tha Hoti.

Sipas tij, zyra e kreut të Qeverisë ka bërë edhe shkelje më substanciale, siç është ndarja e 816 mijë eurove pa asnjë procedurë.

E shkelja e dytë, Hoti ka thënë të jetë bërë pas ndarjes së këtyre mjeteve, pasi nuk është nënshkruar kontratë përmes zyrës së kryeministrit dhe Let’s Do It Kosova.

“Të gjitha pagesat që arrijnë në 806 mijë eurove, janë bërë në bazë të faturave që ka dërguar kjo OJQ. Nuk ka asnjë raport për punët e kryera nga kjo OJQ. Dhe, shkelja e katërt është se koordinatori i taksforcës, asnjëherë nuk ka raportuar në Qeveri, siç kërkohet me vendimin e Qeverisë mbi themelimin e kësaj taskforce. Edhe me të drejtë, auditori, për shkak të mungesës së raporteve, nuk mund të konfirmohet rregullsia e pagesave prej 816 mijë euro. Tjetra, për të njëjtin projekt ‘;Ta pastrojmë Kosovën’ e njëjta OJQ, ka marrë edhe 30 mijë euro tjera nga Zyra për çështje të komuniteteve në kuadër të zyrës së kryeministrit”, tha ai.

Ai tha se raporti i auditorit vë në pah edhe keqpërdorimet tjera, si ndarjen e subvencioneve për persona fizik për zbukurimin e fasadave ët shtëpive.

“Ka raste kur personave fizik nga Zyra e Kryeministrit iu janë ndarë subvencione jo për ndihma, por për blerje të roletave dhe për zbukurim të fasadave të shtëpive. Një e gjetur tjetër që është shqetësuese është përfitimi i dy subvencioneve nga e njëjta OJQ nga institucione të ndryshme. Po i përmendi disa prej rasteve, 4 janë më eklatante. E para: Për aktivitetin integrimi i goranve të ri, Zyra për çështje të komuniteteve i ndan një ojq-je 5 mijë euro, ndërkaq kryetari dhe kryesia e Kuvendit i ndanë edhe 4 mijë e 995 euro për të njëjtën ojq, për të njëjtin aktivitet”, u shpreh ai.

Hoti u shpreh se ky raport nuk do të mbetet me kaq, pasi paralajmëroi shqyrtimin e tij në mbledhjet e ardhshme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike/KsP.