Autoritetet e Kosovës janë të përkushtuara në krijimin e kushteve për azilkërkuesit dhe refugjatët sikurse në vendet tjera. Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, gjatë një takimi me azilkërkuesit në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Refugjatëve.
“Në këtë ditë dëshiroj ta ndaj me ju përkushtimin e autoriteteve tona në krijimin e kushteve për azilkërkues dhe refugjatë sikurse në vendet e tjera. Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë çdo ditë se bashku me UNHCR-në, organizatat partnere të saj dhe me organizata tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku t’ua mundësojmë azilkërkuesve dhe refugjatëve një trajtim me dinjitet dhe të drejtë”, ka thënë Zeka, sipas njoftimit nga MPB.
Shefi i Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç u ka thënë azilkërkuesve se njerëzit në Kosovë janë të ndjeshëm për situatën e refugjatëve dhe janë mikpritës.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë për Punë të Brendshme, Valon Krasniqi, tha se MPB do të vazhdojë të punojë bashkë me UNHCR-në dhe partnerët e saj, që të jetë një sistem efikas të ofrimit i shërbimeve të ndihmës juridike.
Në këtë vizitë, krahas zyrtarëve nga UNHCR dhe Ministria për Punë të Brendshme, morën pjesë edhe studentë të Fakultetit Juridik, të cilët këtë vit kishin ndjekur ligjërata përkitazi me mbrojtjen ndërkombëtare për refugjatët. Studentët patën mundësinë që të vizitojnë Qendrën e Azilit dhe të bisedojnë me azil-kërkuesit.
Me këtë rast, të pranishmit mbollën fidanë në oborrin e Qendrës së Azilit.