Arbëri

Kryeziu: Partitë po duan që ta legjitimojnë pastrimin e parave të pista

Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së, ka folur shtruar për kundërshtimin që shoqëria civile po i bën Projektligjit për financimin e partive politike.

Në Express Intervistën ai ka thënë se ky projektligj, në vend se ta avancojë, e degradon akoma më shumë transparencën e partive politike në raport me donatorët.

Ka kërcënuar se në rast se nuk tërhiqet nga procesi i votimit në Kuvend, ata do të pezullojnë pjesëmarrjen në grupin punues për reformën zgjedhore.

Janë 27 pika të projektligjit, të cilat shoqëria civile po i kundërshton.

“Projektligji ka ndryshuar nëpër Komisione Parlamentare, madje në njërin prej tyre është mbajtur diskutim i mbyllur”, ka thënë Kryeziu.

Derisa është ndalur te kundërshtimet kryesore, ai ka thënë se “partitë nuk mund të bëjnë pazar me paranë publike”.

“Bëhet fjalë për 4 milionë që vijnë nga taksat tona”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, partitë politike kanë futur disa çështje që u interesojnë për nevoja të ngushta partiake.

“Për shembull kanë ulur gjobat për parregullsitë eventuale në procesin zgjedhor. Kanë qenë deri në 40 mijë euro, janë ulur deri në 10 mijë euro”, ka thënë Kryeziu, përcjell Koha.net. “Në anën tjetër kanë rritur mundësinë e donimit në kesh. Deri tash vlera ka qenë 50 euro me kesh, e kanë rritur në 500 euro. Kjo u jep mundësinë atyre që të fusin në qarkullim para të pista. Ka pasur raste kur janë futur lista me emra të aktivistëve me nga 50 euro. Ta zëmë nëse tash e fusin një listë me 1000 aktivistë, nga 500 euro, bëhet fjalë për gjysmë milioni euro para të pista që mund të hyjnë në qarkullim menjëherë”, ka thënë më tej.

Tutje ai ka thënë se në këtë Projektligj është dhënë mundësia që të fshihen emrat e bizneseve dhe pronarëve të fundit të bizneseve që japin donacione për partitë politike.

“Janë thirrur në atë se bizneset nuk duan që të dihet se po japin para. Por ne nuk guxojmë që të lejojmë këtë, sepse kësisoj e kemi të pamundur të monitorojmë lidhjen në mes të atyre që japin donacione dhe atyre që fitojnë tenderët publikë”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se ky projektligj e degradon akoma më shumë çështjen e transparencës së partive politike.

“Partitë politike në këtë projektligj po tentojnë të fshehin prejardhjen e parave. Neve si qytetarë po na trajtojnë si klientë e jo si votues”, ka thënë ai.

“Veç Vetëvendosje e cila e ka përkrahur nismën tonë, të gjitha të tjerat kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të shtyrë përpara këtë projektligj. LDK-ja nuk ka një qëndrim konkret, ka disa zëra që janë kundër dhe ka disa të tjerë që janë pro këtij ligji”, ka thënë ai.

Kryeziu ka thënë se nëse Projektligji nuk tërhiqet nga votimi në Kuvend, ata do të përdorim edhe mekanizma të tjerë, përfshirë kërkesën drejt Presidentit për mosnënshtrimin e Ligjit, dhe nëse edhe kjo ndodh dërgimin e saj në Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit.

“Sepse ky Projektligj përbën edhe shkelje kushtetuese”, ka thënë ai. “Edhe Ligji i vjetër ka pasur probleme. Ka pasur nevojë që ai të përmirësohet, por ky i riu degradon akoma më shumë në transparencën e partive politike”, ka shtuar më tej.

Kryeziu ka thënë se nëse ky ligj nuk tërhiqet, shoqëria civile do ta pezullojë pjesëmarrjen në grupet punuese për reformën zgjedhore.

“Deri tani partitë politike nuk kanë treguar vullnet për reformën zgjedhore. Ne e kemi nisur prej vitit 2009, por kemi qenë në njëfarë ngërçi. Partitë zakonisht nxiten të flasin për reformën zgjedhore para zgjedhjeve. Tash kur është formuar grupi punues, nuk mendoj se është një moment i mirë që krahas reformës zgjedhore të bëjmë një ligj i cili degradon transparencën e partive”, ka thënë ai.

Kryeziu nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojnë presionin qytetar edhe me protesta të tjera në rrugë, ndonëse ka thënë se koha po ecë në disfavor të tyre, meqë në çdo moment pritet që ky projektligj të futet në votim.